Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 11:37

Prishtinë (PLOTESUAR 12:30)- I ashtuquajturi ministër për Kosovë, në Qeverinë e Serbisë, Goran Bodanoviq do të arrestohet nëse të enjten hyn në Kosovë për festën e Vidovdanit. Kështu ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ngase, sipas tij, Bogdanoviqit i është ndaluar hyrja meqë nuk i është përmbajtur më herët rregullave duke përdorur edhe deklarime politike. Rexhepi thotë se kanë kërkuar edhe nga EULEX-i ta kryejnë punën e tyre, por, sipas tij, edhe nëse nuk i përmbahen, në veri, Bogdanoviq nuk do të ketë assesi hyrje në pjesë të të tjera të Kosovës.

Do lejohen të hyjnë nesër për festën e tyre vetëm ata që realisht duan të bëjnë pelegrinazhe, e jo huligan dhe tifozë që kanë qëllime të tjera. “Realisht ne kemi do të dhëna që edhe disa grupe që janë vet në Serbi janë ilegale qoftë çetnike, ajo 1939. Janë do tifozë huliganë të Cervena Zvedës dhe shumë të tjerë. Ne do t’i ndalojmë të gjithë ata dhe atyre nuk do t’u lejohet. Atyre do t’u ndalojmë ta bëjnë këtë pelegrinazh, siç e quajnë. Ka organizata të ndryshme joqeveritare, të grave e disa të tjerë që me të vërtetë dojnë me festu e ajo është çështje e tyre. E atyre nuk do t’u ndalohet me festu. Ndalesa natyrisht është edhe për ish-ministrinë Bogdanoviq për arsye se në kaluarën nuk ju ka përmbajtur udhëzimeve tona që të mos të ketë deklarime politike dhe atij ju ka ndalu hyrja”, ka thënë ai.

*****************************************

Prishtinë – Autoritetet e Kosovës i kanë ndaluar hyrjen në Kosovë, ministrit për Kosovën në qeverinë në largim të Serbisë, Goran Bogdanovic, për të marrë pjesë në 623 vjetorin e Betejës Mesjetare të Kosovës, të cilën komuniteti serb e quan “Vidovdan”.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Bogdanovic, i cili tha se arsyeja e moslejimit të hyrjes së tij në Kosovë është për shkak se ai i mbështet institucionet e Serbisë në Kosovë.

“Kjo është arsyeja, por mendoj se një gjë e tillë është aq ironike sa nuk e kuptoj një formë të tillë të përgjigjes. Nuk mundet askush që në atë mënyrë të më disiplinojë se si do të sillem unë politikisht”, ka thënë ministri serb Bogdanovic.

Prishtina zyrtare nuk është prononcuar ende.

Manifestimi për 623 vjetorin e Betejës Mesjetare të Kosovës mbahet çdo 28 qershor, tradicionalisht në Graçanicë dhe Gazimestan.Autoritetet e rendit kanë njoftuar se gjatë ditës së nesërme do të shtojë praninë në rrugët që çojnë drejt këtyre dy lokacioneve. (LajmeShqip.com)