Tiranë – Ashtu si në të gjithë botën, dhe në Shqipëri, përdorimi i substancave abuzive, përfshirë ato legale dhe jo legale, është në rritje vitet e fundit. Ndër grupet më të prekura janë adoleshentët dhe të rinjtë. Në 26 qershor, Ditën Botërore Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave, apelohet për të forcuar veprimin dhe bashkëpunimin me qëllim për të shkuar drejt një shoqërie pa drogë. Slogani global i këtij viti është “Veprime globale për komunitete të shëndetshme pa drogë”. 
Referuar të dhënave të fundit të raportit të EMCDA për vitin 2010, në Shqipëri numri i personave që janë apo kanë përdorur substanca ilegale, varion nga 40.000 – 60.000 persona, nga ku mendohet se rreth 10-15% e tyre janë përdorues të drogave intravenoze, kryesisht heroinë dhe kokainë.
Dita e sotme do të shoqërohet me aktivitete të ndryshme sensibilizuese. Shoqata “Stop AIDS”, e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, do të organizojnë aktivitete sensibilizuese te Parku ‘Rinia’.
Data 26 qershor u vendos si Dita Botërore Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave në 7 dhjetor të vitit 1987, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si shprehje e angazhimit për të forcuar veprimin dhe bashkëpunimin me qëllimin për të shkuar drejt një shoqërie pa drogë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 June 2012 13:55