Lajme Shqip Tuesday, 26 June 2012 11:59

Tiranë – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi të martën në komisionin e Ligjeve se koeficienti i kriminalitetit në vend ka shënuar rritje gjatë vitit 2011, ndërsa e konsideroi imunitetin e zyrtarëve të lartë një penesë për vijimin e hetimeve.

Gjatë raportimit vjetor në Kuvend “Mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri” gjatë vitit të kaluar  kryeprokurorja tha se është rritur numri i çështjeve të dërguara për gjykim, ndërsa është ulur numri i çështjeve të pushuara.

Sipas saj, shqetësim serioz në punën e organit të prokurorisë është imuniteti i zyrtarëve të lartë, që bëhet  pengesë për vijimin e hetimeve. “Na ka penguar imuniteti për të hetuar zyrtarët”, theksoi Rama, ndërsa shtoi se “heqja e tij do të ishte lehtësim në këtë proces”.

Krimi kryesor në vend vazhdon të mbetet vjedhja, që ka shënuar rritje. Sipas Ramës, 41% e veprave kriminale i përkasin pikërisht vjedhjes. Kreu i organit qendror të akuzës është në fund të mandatit të saj pesëvjeçar në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, mandat që përfundon në fund të nëntorit. (LajmeShqip.com)