Tiranë – Kryeministri Thaçi deklaroi sot në Tiranë se dorëheqja e zv/ministrit Hajredin Kuçi është bërë për shkaqe morale. Sipas Thaçit ky veprim instalon në Kosovë një standard të ri.
“Ka qene debat që është përcjellë me opinione të ndryshme, me diçka të re në Kosovë. Kuçi, bashkëpunëtor imi i ngushtë dhe njeri i suksesshëm në qeverinë e Kosovës i ka dhënë opinionet e tjera. Ka ndodhur ajo që ka ndodhur në parlamentin e Kosovës. Zv ministri kishte bërë një deklaratë publike që potenconte se nëse kalonin 3 nene do të dorëhiqej. Unë kërkova menjëherë që nenet 37 e 38 të riprocedohen në Kuvend. Kuçi me veprimin e tij ka instaluar një standard të munguar në Kosovë, atë moral të fjalës së dhënë. Ai do mbetet bashkëpunëtor imi i ngushtë”, tha Thaçi gjatë një konference për shtyp në Tiranë pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berishën, i pyetur rreth dorëheqjes së Hajredin Kuçit.
Berisha-Thaçi: Urojmë përmbylljen e mbikëqyrjes së Pavarësisë
“Përmbyllja me sukses të plotë e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është dëshmi e funksionimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike, si dhe e shndërrimit të Kosovës në një faktor të vërtetë paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.
Kështu u shpreh të dielën kryeministri Sali Berisha, pas takimit me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, i cili ndodhet sot për një vizitë të shkurtër në Tiranë.
Kreu i qeverisë shqiptare, e njohu homologun nga Kosova me zhvillimet në vend, ku u ndal në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Shqiërisë, i cili sipas tij “u konkludua në përputhje të plotë me germën dhe frymën e Kushtetutës, duke zgjedhur në krye të shtetit shqiptar një personaliteti me integritet e me të gjitha dhuntitë e cilësitë për të përmbushur me sukses këtë mision, raporton Balkanweb.
Ai gjithashtu me kryeministrin Thaçi bisedoi dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve, si dhe angazhimin e përbashkët në kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë.
Dy kryeministrat biseduan gjithashtu dhe për perspektivën europiane të të dy vendeve dhe vendosmërinë për të bashkëpunuar intensivisht në projektet e mëdha të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës për të ardhmen evropiane. (LajmeShqip.com)
Sunday, 24 June 2012 16:00