Lajme Shqip Saturday, 23 June 2012 19:43

Tiranë – Kryeministri Berisha, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Kushtetutës i  paraqiti sot Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi, propozimet për dekretim të ndryshimeve në kabinetin qeveritar.

Kryeministri ka kërkuar shkarkimin e zotit Edmond Haxhinasto nga detyra e ministrit të Punëve të Jashtme dhe emërimin e zotit Edmond Panariti në detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme. Ndryshime bëhen edhe në ministrinë e Shëndetësisë. Kryeministri ka kërkuar shkarkimin e zotit Petrit Vasili nga detyra e ministrit të Shëndetësisë dhe emërimin e zotit Vangjel Tavo në detyrën e ministrit të Shëndetësisë.

Ndërkohë Nasip Naço shkarkohet nga  detyra e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe në vend të tij emërohet zoti Edmond Haxhinasto, i cili do të jetë sërish edhe në postin e zv/kryeministrit. Ndërsa në vendin vakant të ministrit të Brendshëm, pas zgjedhjes së zotit Bujar Nishani President i Republikës, kryeministri Berisha ka vendosur emërimin e zotit Flamur Noka, aktualisht deputet i PD-së.

Keto ndryshime erdhën menjëherë pas propozimit të mbrëmshëm të kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, për një rikonfigurim të pjesëmarrësve të kësaj force politike në qeveri. Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha falenderoi përzemërsisht zotin Nasip Naco dhe zotin Petrit Vasili për bashkëpunimin e ngushtë dhe luajal që kanë patur gjatë qëndrimit në detyrat, respektivisht, si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe si ministër i Shëndetësisë, për kontributin e tyre të rëndësishëm në promovimin e këtyre fushave si dhe në realizimin e reformave të rëndësishme në këto fusha jetike të vendit.

Zoti Naço dhe zoti Vasili nga ana e tyre falenderuan Kryeministrin Berisha për të gjithë bashkëpunimin që kanë patur me të gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre dhe e garantuan se ata do të vazhdojnë këtë bashkëpunim në interesin më të mirë të maxhorancës dhe vendit.

***************************

Reagimi i parë që ka ardhur nga opozita në lidhje me ndryshimet në Qeveri ka qënë ai i deputetit socialist, Erion Brace. Reagimi i tij vjen përmes Facebook, ku Brace shkruan: “Kjo që do dekretohet është qeveria më e turpshme e pas Pluralizmit”. 

Duke u ndalur në emrat konkretë, Brace thekson se “ Një pedagog i gjuhës së huaj, referuar Edmond Haxhinastos, bëhet Minister Ekonomie. Një zooteknik, bëhet fjalë për Edmond Panaritin bëhet Ministër i Punëve të Jashtme, Ndërsa një mjek, Flamur Noka, bëhet Ministër i Brendshëm! (LajmeShqip.com)