Tiranë -Praktikat e dy viteve të kaluara na kanë çuar në përfundimin që një mënyrë e tillë bashkëpunimi rrit nivelin e sigurisë në qarkullimin rrugor, tha sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë firmosjes së memorandumit të bashkëpunimit për sigurinë rrugore me homologun e tij kosovar, Shpend Maxhuni.
Ndërkohë ai bëri të ditur se gjatë sezonit veror vitin e kaluar kanë hyrë në Shqipëri vetëm nga pika e kontrollit të Morinës rreth 1 milion qytetarë kosovarë për arsye turistike. “Policia e Shtetit shqiptar, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, duke filluar që sot do të aplikojë shërbimin e patrullimit të përbashkët kryesisht ne akset rrugore të shtetit shqiptar dhe marrjen e masave në pikat e kontroll kalimit kufitar për të siguruar lehtësirat e nevojshme qytetarëve të të dy vendeve”, tha Burgaj.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, falënderoi drejtorin Burgaj për urdhrin e lëshuar për efektivët e tij që gjatë sezonit veror veturat me targat e Kosovës të mos ndalohen, veçse në rrethana të detyrueshme. “Kjo u mundëson qytetarëve kosovarë të qarkullojnë lirshëm në të gjitha akset rrugore të territorit shqiptar”, tha Maxhuni.
Ndërkohë z .Burgaj konfirmoi se ky bashkëpunim ndërpolicor, i cilësuar model për rajonin, është shtrirë e do të shtrihet akoma më tepër edhe në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar e trafiqeve të paligjshme. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 June 2012 17:28