Lajme Shqip Friday, 22 June 2012 17:40

Prishtinë – Lëvizja e lirë për qytetarët shqiptarë që jetojnë në veri, vazhdon të jetë problem, u tha sot në takimin e Komitetit të Sigurisë të Komunës së Mitrovicës.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviçit, vazhdojnë të përballen me probleme sa i përket qarkullimit të lirë. Ai tha se me minibusin që lëviz nëpërmjet Zveçanit nuk guxojnë të udhëtojnë të rinjtë, nga frika e ekstremistëve serbë.

Po ashtu ai theksoi se edhe banorët shqiptarë që jetojnë në Kodrën e Minatorëve, në veri të qytetit, kanë probleme të mëdha për lëvizje të lirë, pasi autobusi i tyre sulmohet shumë shpesh prej grupeve ekstremiste serbe që tentojnë të frikësojnë dhe dëbojnë shqiptarët nga veriu.

Drejtori Bala kërkoi nga strukturat e sigurisë që të krijojnë kushte për liri të lëvizjes për të gjithë, meqë këto rrethana e kanë vështirësuar se tepërmi jetën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në veri. “Vetëm hapat konkretë dhe të vendosur do të ndryshojnë për të mirë gjendjen në veri”, tha ai. (LajmeShqip.com)