Lajme Shqip Friday, 22 June 2012 12:45

Ajo është një ndër aktoret më të lakmuara të regjisorëve për sa i përket roleve në filma historikë dhe sidomos në filma që përcjellin jetën e aristokracisë. Këtë herë, britanikja Keira Knightley, sikundër edhe është lajmëruar, do të shfaqet si Anna Karenina, aristokratja e famshme e shoqërisë ruse të shekullit të XIX…!

Traileri i filmit ka nisur të qarkullojë dhe imazhet perfekte të aktores prej aristokrateje kanë nisur të komentohen jo pak. Regjisori i filmit Joe Wright ka zgjedhur për të interpretuar Kont Vronsky-n në film, një tjetër aktor të famshëm britanik, Jude Law. Trekëndëshi i dashurisë, intrigës dhe shthurjes plotësohet nga Aaron Johnson.

Filmi do të nisë projeksionin në kinematë e Mbretërisë së Bashkuar në vjeshtë, më 7 Shtator të këtij viti, ndërsa janë jo të paktë ata që po presin me kërshëri të shohin këtë version të filmit të bazuar në kryeveprën e letërsisë ruse dhe asaj botërore të shkruar nga Leo Tolstoi.

Keira Knigtley, ndonëse arrin të realizojë në perfeksion rolet e saj, që na kthejnë pas ndër shekuj  në personazhet e famshme të aristokracisë botërore, në jetën e përditshme, aktorja britanike është krejt ndryshe. Asaj nuk i pëlqen aspak jeta luksoze dhe nuk i kushton jo shumë rëndësi veshjes së saj kur nuk bëhet fjalë për shfaqjen në tapetin e kuq.