Athinë – Shpallet zyrtarisht dhe bën betimin qeveria e kryeministrit Antonis Samaras. Qeveria e re ka 39 anëtarë, nga të cilët janë 17 ministra. 
Në përbërje të kabinetit qeveritar ka vetëm dy gra. 29 janë deputetë të Demokracisë së Re dhe pjesa tjetër janë persona joparlamentarë. “Kjo është qeveri uniteti dhe qëllimi i saj është të rivendosë sigurinë për qytetarët grekë”, iu tha gazetarëve të huaj Antonis Samaras.
Ministri i Financave është Vasilis Rapanos, ministër i Brendshëm Stilianidis Euripidis, i Punëve të Jashtme Dimitris Avramopulos (nëkryetari i ND), ndërsa Ministria e Mbrojtjes Qytetare do drejtohet nga Nikos Dendias. Për emrat e anëtarëve të kabinetit, ranë dakord kryeministri Samaras, kryetari i PASOK Evangelos Venizelos dhe i së Majtës Demokratike, Fotis Kuvelis gjatë takimit që mbajtën sot për disa orë.
PASOK dhe DIMAR mbështesin qeverinë, pa u përfshirë direkt në të me figura politike. Tre partitë e koalicionit së bashku kanë 179 deputetë, që konsiderohet një shumicë e mirë në një parlament me 300 vende, por sipas analistëve, mospjesëmarrja e PASOK dhe DIMAR me figura politike, rrezikon efektshmërinë e qeverisë.
“Qeveria greke synon të adresojë krizën, të hapë rrugën e zhvillimit dhe të rishikojë kushtet e marrëveshjes së kredisë, pa rrezikuar kursin evropian të vendit apo qëndrimin në euro”, thuhej në deklaratën që shoqëronte shpalljen e kabinetit të ri.
Marrëveshja kuadër bazohet në këto boshte:
– Shtrirja e rregullimit fiskal deri në vitin 2016
– Jo shkurtime të mëtejshme në paga e pensione dhe jo pushime nga puna
– Marrëveshjet kolektive mes punëtorëve dhe punëdhënësve
Përbërja e qeverisë së re greke është si më poshtë:
Kryeministër, Antonis Samaras
Ministria e Financave, Vasilis Rapanos
Ministria e Brendshme, Euripidis Stilianidis
Ministria e Jashtme, Dimitris Avramopulos
Departamenti i reformave administrative, Antonis Manitakis
Ministria e Maqedoni-Thrakës, Theodoros Karaoglou
Ministria e Mbrojtjes, Panos Panajotopulos
Ministria e Zhvillimit dhe Infrastrukturës, Kostis Haxhidakis
Departamenti Detar dhe Ishujve, Kostis Mousouroulis
Ministria e Energjisë Mjedisit, Evangelos Livieriatos
Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Konstantinos Arvanitopoulos
Ministria e Punës dhe Sigurise Sociale, John Vroutsis
Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve, Nikos Dendias
Ministria e Shëndetësisë, Andreas Lykourentzos
Ministria e Zhvillimit Rural, Athanasios Tsaftaris
Ministria e Drejtësisë, Antonis Roupakiotis
Ministria e Turizmit, Olga Kefalogiani
Ministri i Shtetit, Dimitris Stamatis
Zëdhënësi, Simos Kedikoglou
Ish ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis dhe vëllai i saj, Qiriakos Micotaqis nuk kanë marrë asnjë post në qeverinë e re. Qiriakos Micotaqis iu propozua një post, të cilin e refuzoi.
Përshëndesin krijimin e qeverisë greke
Presidenti i KE, Hose Manuel Barroso përshëndeti krijimin e qeverisë së re. “E mirëprita ngrohtësisht njoftimin e sotëm të formimit të qeverisë së re në Greqi dhe jam i bindur se kjo qeveri gëzon përkrahje të gjerë parlamentare. Mendoj se ky fakt dërgon një mesazh të qartë në lidhje me përcaktimin e Greqisë për të respektuar angazhimet e saj, duke qëndruar në zonën e euros”, deklaroi ai.
Ministrja e Financave të Austrisë, Maria Fekter e vlerëson të mundur zgjatjen e kohës së zbatimit të programit të reformave, të kërkuara nga Greqia.
Reagime per zgjedhjen e Vasilis Rapanos ne postin e ministrit te Fianncave
Financial Times e konsideron “surprizë” zgjedhjen e Vasilis Rapanos, në postin e ministrit të financave.
Publikimi i FT e karakterizon atë si një punonjës publik karriere, me një të kaluar radikale. “Udhëheqësi i qendrës së djathtë Antonis Samaras bëri një zgjedhje surprizë në postin e ministrit të financave, duke vënë një punonjës të administratës publike, me njohuri të financave, por të majtë dhe me të kaluar radikale gjatë kohës së diktaturës, gjë që i shkaktoi 4 vjet burgosje në burgjet famëkeqe në Selanik “, thotë artikulli në gazetën britanike.
“Ishte një eksperiencë pozitive. Kam lexuar shumë libra dhe kam mësuar se si të mbijetoj në kushte të tilla”, thotë vetë ministri i ri për gazetën.
U lirua nga burgu në vitin 1973, përfundoi studimet dhe u nis për studime pasuniversitare në Kanada, ku kreu doktoraturën.
“Pas 30 vjetësh karrierë në financat publike, unë i njoh mirë ato”, është shprehur ministri i ri i financave, Rapanos në Financial Times.
Agimi i Arte reagoi i pari per zgjedhjen e Vasilis Rapanos ne krye te Financave. “Ne jemi të shqetësuar në lidhje me zgjedhjen e z Rapanos. Një njeri i PASOK dhe “uni i dytë” i Lukas Papadhimos”, eshte shprehur Ilia Kasidiaris, i Agimit te Artë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 21 June 2012 20:16