Lajme Shqip Thursday, 21 June 2012 00:46

Washington –  “Fëmijë nga Kosova dhe vendet fqinje shfrytëzohen për lypje të detyruar brenda territorit të Kosovës. Pjesa më e madhe e viktimave të huaja të prostitucionit të detyruar janë gra të reja nga Evropa Lindore, duke përfshirë Moldavinë, Shqipërinë, Poloninë dhe Serbinë”. Kështu citoi me një ceremoni në Departamentin e Shtetit, Sekretarja Hillary Rodham Clinton kur paraqiti Raportin mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012. 

Raporti bën vlerësimin e përpjekjeve të qeverive kudo në botë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzorePërsa i përket Kosovës, Raporti mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012 thotë se shumica e viktimave të trafikimit seksual të shfrytëzuara në vend, janë qytetare femra të Kosovës.

Sipas raportit të ashpër të DASH për Kosovën, gra dhe fëmijë kosovarë i nënshtrohen prostitucionit të detyruar, martesave shfrytëzuese, dhe punës së detyruar në të gjithë Evropën.

Raporti citon policinë e Kosovës për të përmendur se trafikantët shfrytëzojnë më rrallë viktimat e trafikimit të seksit në bare dhe kafene, duke u mbështetur kryesisht tek banesat private.

Sipas raportit qeveria nuk përmbush standartet minimale për ta luftuar trafikimin.
“Qeveria e Kosovës nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria ka vazhduar zbatimin e procedurave operative standarde të saj të përqëndruara tek viktimat si dhe standardet minimale për kujdesin e viktimave të trafikimit. Përpjekjet nga ana e qeverisë së Kosovës për parandalim e trafikimit vazhduan të jenë shumë të forta, duke përfshirë thirrje me bazë të gjerë në media, përqëndrim tek të rinjtë, dhe koordinim qeveritar në disa nivele”, citon raporti i DASH.

Por raporti i DASH i referohet organizatave ndërkombëtare duke thënë se është vërejtur se gjyqësori dhe prokurorët mbeten jo plotësisht të aftë për të ndjekur penalisht rastet e trafikimit, duke rezultuar në vënie të pamjaftueshme para përgjegjësisë të autorëve të trafikimit. Pavarësisht njoftimeve mbi raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve të qeverisë, asnjë zyrtar qeveritar nuk është dënuar për bashkëpunim.

Raporti mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012 i Departamentit amerikan të Shtetit rendit edhe disa rekomandime për Kosovën, duke kërkuar që vendi të bëjë përpjekje më të fuqishme për të ndjekur penalisht, fajësuar dhe dënuar autorët e trafikimit për seks dhe për punë, duke përfshirë zyrtarët e përfshirë në trafikim; të rrisë trajnimin specifik për trafikimin të prokurorëve dhe gjyqësorit, të sigurojë që mbrojtja e punës sociale për viktimat e trafikimit të jetë plotësisht e financuar; duke kërkuar gjithashtu që Kosova të zbatojë Planin Strategjik dhe të Veprimit Kombëtar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore për vitet 2011-2014; të shtojë hetimet e veprave penale të punës së detyruar si dhe të rrisë rastet e zbulimit dhe të mbrojtjes së viktimave të lypjes së detyruar në Kosovë.

Për Departamentin amerikan të Shtetit është e rëndësishme gjithashtu që të sigurohet që të gjitha viktimat e trafikimit të lejohen të lënë vendstrehimet sociale të papërgjuar dhe me vullnetin e tyre e të financohet në mënyrë të përshtatshme në nivel komunal puna sociale e kujdesit për viktimat e trafikimit. Raporti thotë se Kosova duhet të vazhdojë vlerësimin e programeve të trafikimit për të siguruar efikasitetin e tyre; të sigurojë që emigrantët pa dokumenta të jenë shqyrtuar për të parë nëse janë viktima të trafikimit para se të dërgohen në vendet e tyre; të përmirësojë procedurat e kthimit për t’u lejuar viktimave të trafikimit të kenë mundësi të përdorin këto procedura kthimi; të ndajë të dhënat e autoriteteve ligjore për anti-trafikimin seksual nga ai i punës si dhe të vazhdojë fushatat për ndërgjegjësimin e publikut, duke përfshirë edhe fushata rreth rreziqeve të lypjes. (LajmeShqip.com)