Lajme Shqip Thursday, 21 June 2012 08:30

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet Prishtinë-Beograd, Robert Cooper, ka mirëpritur “gatishmërinë e palës serbe që me bisedimet e nivelit të lartë, të zgjidhen problemet në Kosovë”, raportojnë mediat serbe.

Cooper është takuar sot në Beograd me këshilltarin e presidentit të Serbisë, Marko Gjuriq. Në deklaratën që ka lëshuar Presidenca serbe pas takimit thuhet se “bisedimet e deritashme janë element i rëndësishëm për arritjen e konsensuseve ndërmjet faktorëve politikë në Serbi”. “Ky është njëri nga synimet e presidentit të Republikës dhe parakusht thelbësor për realizimin e interesave të Serbisë në Kosovë”, transmeton Presidenca serbe deklaratën e Gjuriqit.

Më herët, shefi i delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se dialogu teknik me Prishtinën ka dhënë rezultate konkrete, porse “tash në radhë janë çështjet politike, si veriu i Kosovës, mbrojtja e serbëve në jug të Lumit Ibër, statusi i manastireve dhe kishave serbe dhe pronat”.

Pas Beogradit, Cooper do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takojë shefen e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri. Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të vazhdojnë pas formimit të Qeverisë së re të Serbisë. (LajmeShqip.com)