Lajme Shqip Wednesday, 20 June 2012 21:30

Tiranë – Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton abuzime me dëm financiar për buxhetin në projektin e ‘Linjës së Interkonjeksionit 400 kV Tiranë – Podgoricë”.

Nga auditi i kryer ne OST, KLSH ka konstatuar se si pasojë e shërbimeve shtesë të konsulencës të pa justifikuara, dëmi ekonomik llogaritet në shumën mbi 171 mijë euro, ndërsa si pasojë e mungesës së materialeve të dorëzuara dëmi llogaritet në mbi 2 mije euro. Nga auditi nga rezultuar se në OST nuk disponohej dokumentacioni lidhur me procedurën e prokurimit dhe të vlerësimit.

Ndërkohë nëë vlerësimin e veprimtarisë të Shefit të Zyrës së Administrimit të Tregut në Drejtorinë e Tregut me cilësinë ish-Shef i PIU, u konkludua se kishte  elementë të veprës penale, ndaj për të KLSH ka depozituar në organet e prokurorisë kallëzim penal për shpërdorim detyre.

KLSH, përmes një njoftimi për shtyp, bën të ditur se ‘si pasojë e vonesave në realizimin e detyrave të konsulentit lidhur me procesin e pregatitjes së dokumentave të tenderit deri në shpalljen e fituesit të kontratës, si dhe në procesin e shpronësimeve, KESH sh.a. në rolin e huamarrësit kryesor dhe OST sh.a. në rolin e nënhuamarësit, për periudhën 30.06.2005 deri më 30.12.2011, janë penalizuar nga Banka Gjermane KfË në shumën 348,935 Euro’.

“Si pasojë e shërbimeve shtesë të konsulencës të pa justifikuara, detyra këto që do të kryheshin nga kompania konsulente sipas përcaktimit në kontratën bazë, dëmi ekonomik llogaritet në shumën 171,540.83 Euro, likuiduar kompanisë konsulente ndërsa si pasojë e mungesës së materialeve të dorëzuara dëmi ekonomik llogaritet në shumën 2,474.2 Euro, likujduar kontraktorit”,- thuhet në njoftim.

Për përmirësimin e gjëndjes, KLSH ka rekomandur 10 masa organizative ndërkohë që ka kërkuar “Pushim nga puna” për Shefin e Zyrës së Administrimit të Tregut në Drejtorinë e Tregut me cilësinë ish-Shef i PIU; dhe “Kalimin në një detyrë të një niveli me të ulët për një periudhë deri në një vit” për Shefen e Njësisë së Menaxhimit të Projekteve në Drejtorinë e Projektim Zhvillimit. (LajmeShqip.com)