Lajme Shqip Tuesday, 19 June 2012 12:03

Prishtinë (PLOTESUAR 17:00)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dënon sulmin ndaj trupave paqeruajtëse të NATO-s, në afërsi të fshatit Bërnjak, komuna e Zubin Potokut, me ç’rast u lëndua një ushtar i kësaj force.

Presidentja Jahjaga vlerëson se sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it është i papranueshëm dhe i patolerueshëm dhe në kundërshtim të plotë me misionin e forcës paqeruajtëse për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë qytetarët e saj. Presidentja e Republikës së Kosovës mbështet fuqishëm aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave, zhbllokimin e rrugëve dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në mënyrë që qytetarët e komunave në veri të territorit të Kosovës të gëzojnë të drejtat e tyre.

Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme dënon ashpër sulmet e përsëritura ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it, në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak, në veri të Kosovës.
MPJ, nëpërmjet një deklarate për shtyp, shpreh mbështetjen e saj të plotë ndaj trupave të KFOR-it, të cilët, “në zbatim të misionit dhe mandatit të tyre për të siguruar lirinë e lëvizjes edhe në veri të vendit, kanë ndërmarrë operacione për heqjen e barrikadave dhe mbylljen e kalimeve kufitare të paligjshme”.

MPJ përshëndet gjithashtu thirrjet e Qeverisë së Kosovës drejtuar qytetarëve të saj për të ruajtur qetësinë dhe për t’u bërë pjesë e institucioneve demokratike e kushtetuese të Republikës së Kosovës, në të mirë të zhvillimit të vendit të tyre. (LajmeShqip.com)

************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 13:15)- Lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në pikën kufitare Bërnjak në veri të Kosovës, pas sulmit me granata në kampin e KFOR-it, me ç’rast një ushtar i KFOR-it është plagosur  është normalizuar sërish, bëjnë të ditur burimet e portalit.

Sipas këtyre burimeve, të martën është shtuar dukshëm numri i ushtarëve në afërsi të Bërnjakut, ndërsa KFOR-i ka ngritur shkallën e gatishmërisë në nivelin më të lartë. “Prezencë e shtuar e KFOR-it dhe shkallë e lartë e gatishmërisë vërehet edhe në Jarinjë”, kanë thënë burimet, duke shtuar se situatë të ngjashme KFOR-i është duke aplikuar pothuajse në tërë territorin e veriut të Kosovës.

Në kohën kur po raportojmë, në Mitrovicë vërehen helikopterë të KFOR-it duke vëzhguar situatën nga ajri. Ndryshe, pas sulmit me granata që ka ndodhur të martën rreth orës 4:00 të mëngjesit në Bërnjak, KFOR-i pati bllokuar tërësisht këtë pikë kufitare për qarkullim. (LajmeShqip.com)

***********************************

Prishtinë (PLOTESUAR 12:45)- Qeveria e Republikës së Kosovës dënoi sot  ashpër sulmin me granatë dore ndaj KFOR-it, që ndodhi sot në mëngjes në vendkalimin kufitar në Bërnjak, si pasojë e të cilit u lëndua një ushtar i KFOR-it.

“Ky sulm i radhës mbi forcat paqëruajtëse të KFOR-it, që bëhet nga strukturat kriminale në veriun e Kosovës, është i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, gjithashtu Qeveria e Kosovës i jep mbështetje të plotë KFOR-it në përmbushjen e misionit të tij për sigurimin e lëvizjes së lirë edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës. (LajmeShqip.com)

***************************************

Zubin Potok – Persona të panjohur kanë hedhur sot në mëngjes rreth orës katër dy bomba dore në pikëkalimin kufitar Bërnjak, afër Zubin Potokut.

Mediet serbe njoftojnë se njëra bombë ka shpërthyer e tjetra jo. Bombat janë prodhim serb M75. sipas këtyre burimeve është plagosur një ushtar francez, por pa rrezik jete.

Njoftohet po ashtu se  bombën pashpërthyer  e kanë shkatërruar ushtarët e KFOR-it.

Ushtarët e kontingjentit francez të KFOR-it e kanë mbajtur të bllokuar drejtimin rrugor Mitrovic-Rribariq derisa nuk është bërë shpërthimi i kontrolluar i bombës.

Njoftohet po ashtu se pikëkalimi Bërnjak është hapur për komunikacion. Zëdhënësi rajonal i policisë së Kosovës, Sali Mehmeti ka konfirmuar hedhjen e bombave bë Bërnjak dhe fillimin e hetimeve.  Të shtunën KFOR-i mbylli rrugët alternative rreth Bërnjakut. (LajmeShqip.com)