Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 23:06

Prishtinë – Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, tha se që nga paslufta, Kosova ka bërë përparim në shumë fusha, por se para saj mbeten ende shumë sfida që ndërlidhen me procesin shtet-ndërtues. Njëri nga mbështetësit kryesor të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në luftën në Kosovë më 1999 tha se, me gjithë pengesat dhe hezitimet që disa shtete kanë rreth njohjes së Kosovës, pavarësia e vendit është një fakt i pakthyeshëm.

Zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi me Bashkimin Evropian, sipas tij, janë të domosdoshme për të bindur shtetet që ende hezitojnë ta njohin Kosovës që ta marrin vendimin për njohje.

“Kosova sot është një fakt, edhe pse disa shtete janë të ngadalshme në njohjen e këtij fakti, ajo është një fakt dhe nuk shoh se duhet ndryshuar ky fakt. Ajo që mendoj se është e rëndësishme për Kosovën është që t’i merrni të gjitha vendimet që mund t’i merrni për ta vendosur shtetin tuaj në vendin më të mirë në fushat si ekonomia, sundimi i ligjit dhe ndërveprimi me Evropën. Mendoj se jeni duke u përpjekur ta bëni këtë, por sa më shumë që e fuqizoni shtet-ndërtimin nga brenda aq më shumë do të merreni parasysh nga jashtë”, u shpreh ish-kryeministri britanik.

Blair shprehu bindjen se, pavarësisht problemeve aktuale me të cilat ballafaqohet Bashkimi Evropian, ekziston një vullnet për ta integruar Kosovën dhe tërë Ballkanin në këtë mekanizëm. Mungesa e pesë njohjeve nga BE-ja, sipas tij, paraqet pengesën kryesore për një qasje të përbashkët në politikat evropiane ndaj Prishtinës zyrtare.

Ish-kryeministri britanik foli dhe për problemin e veriut të Kosovës duke hedhur poshtë mundësinë për ndarje apo shkëmbime territoriale. Ai tha se zgjidhja e çështjes së veriut nuk varet tërësisht nga pala kosovare. “Zgjidhja e këtij problemi nuk është tërësisht në duart e juaja andaj ju këshilloj që të bëni gjithçka që mundeni, mirëpo pjesë e zgjidhjes së këtij problemi është ajo çfarë bëjnë të tjerët”, theksoi Blair.

Problemi i veriut pritet të jetë temë boshte e një dialogu më politik, të iniciuar fillimisht në mes të autoriteteve kosovare dhe serbëve lokal më përfshirjen edhe të Beogradit zyrtar. Integrimi evropian mbetet synim kryesor sikurse i Kosovës ashtu dhe i Serbisë, por të dyja vendet gjenden në faza të ndryshme të integrimit.

Blair: Krenar për Kosovën

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair ka mbajtur një fjalim inkurajues në Prishtinë, kur ka folur për të ardhmen që e pret Kosovën. Gjatë fjalimit të tij, Blair është shprehur krenar për ndërhyrjen në Kosovë dhe ka shprehur dëshirën që figura e tij të jetë pjesë edhe e së ardhmes së saj. “Jam krenar për ato që bëra për Kosovën. Jam krenar për njerëzit e saj që e kanë lënë pas të kaluarën. E dua këtë vend dhe njerëzit e tij”, ka thënë Blair.“Unë nuk dua të jem pjesë vetëm e së kaluarës tuaj, por edhe e së ardhmes. Kosova do zërë vendin e saj mes kombeve të tjera”, ka shtuar ish-kryeministri.

Blair, një ndër mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, po realizon vizitën në Prishtinë përmes fondacionti të tij, “Faith Foundation”. Kjo është vizita e dytë që zoti Blair bën në Kosovë brenda pak kohësh, pas asaj të vitit të kaluar që u zhvillua me ftesë të kryeministrit Hashim Thaçi. Blair dhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton ishin ndër liderët botërorë që mbështetën më shumë se kushdo tjetër ndërhyrjen në Kosovë për të ndaluar spastrimin etnik serb, të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviç.

Tony Blair dhe ministri Buja nënshkruan Memorandum

Tony Blair, ish kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe Mbështetës i Fondacionit “Tony Blair Faith Foundation” dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit (MM) në mes të Fondacionit dhe Qeverisë së Kosovës, për hapjen e programit të Fondacionit të shkollave globale “Face to Faith” (Përballë Besimit) në shkollat e Kosovës. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë, ku nxënësit e kësaj shkolle, e pritën në mënyrë të veçantë, me një program artistik, mikun e madh të tyre dhe të Kosovës, Tony Blair.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja i shkrehu mirëseardhje z. Blair dhe e vlerësoi si mik të çmuar të popullit shqiptar, i cili i dha shumë parvarësisë së Kosovës. “Kur isha në Britani, i thash qytetarëve: ‘faleminderit shumë votues të Mbretërisë së Bashkuar’. Më pyetën përse. Iu thash se kam arsye shumë t’iu falenderoj, por në veçanti që botës ia dhuruat Tony Blair, nuk e mbajtët vetëm për vete si kryeministër. Andaj, ju them se Tony Blair është një mik i madh i yni. Në kohët më të vështira na ka bërë ndihmën më të madhe që mund t’i bëjë një njeri një populli. Në saje të ndihmës së tij dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ne jemi sot të lirë”, u shpreh ministri Buja.

Ish kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, me këtë rast tha se sa më shumë që udhëtojnë njerëzit dhe i shohin pjesët tjera të botës është më mirë, por theksoi se megjithatë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën do të shkojë hap pas hapi.

“Me të vërtetë dua ta shoh se si do të ndodhë kjo, por e dimë se duhet të shkojmë hap pas hapi dhe se kjo merr kohë. Nëse e krahasojmë gjendjen që jemi tani me atë para 10 viteve, mund të shohim se kemi bërë shumë rrugë. E di se sa më shumë që udhëtojnë njerëzit dhe i shohin pjesët tjera të botës është aq më mirë. Pra, të shpresojmë që të ndodhë kjo sa më shpejt. Po punojmë në këtë drejtim së bashku “, tha ai.

Blair theksoi se do të ndihmojë përmes fondacionit. “Do të fillojmë me tri shkollat në Kosovë dhe te Universiteti që është pjesë e këtij programi, dhe do të krijojmë lidhjet prej Kosovës me jashtë. Fondacioni ndihmon në këtë drejtim jo vetëm në Britani. Ka shkolla në SHBA, Kanada dhe në pjesë të ndryshme të lindjes së largët. Ajo që unë bëj sa herë takohem me liderë botëror, është të mbështesim Kosovën. Prej vizitës së parë që kam bërë para 10 viteve, tani po shoh shumë ndryshime këtu dhe duhet që këto ndryshime t’i vazhdojmë edhe me tutje“, theksoi ish kryeministri Blair.

Ish kryeministri britanik, me shumë dashamirësi, iu përgjigj edhe shumë pyetjeve të nxënësve të kësaj shkolle. Tony Blair u shpreh i kënaqur me anglishten e nxënësve, të cilëve iu tha: “Ashtu siç do të jetë edukimi juaj, ashtu do të jetë edhe e ardhmja e Kosovës”.

Programi “Face to Faith”

Foundacioni “Tony Blair Faith Foundation” është duke punuar me Qeverinë e Kosovës për t’iu ofruar nxënësve kosovarë një mundësi të veçantë përmes teknologjisë, për të mësuar më shumë rreth kulturave të tjera dhe të pranojnë dhe të respektojnë tjetrin. Programi ofron një përvojë transformuese për nxënësit kosovarë që të jenë të lidhur në nivel global, pa marrë parasysh aspiratat e tyre kombëtare, dhe për të ndihmuar nxënësit dhe mësimdhënësit kosovarë për të zhvilluar më thellë shkathtësitë dialoguese dhe negociuese.

Marrëdhënia historike dhe angazhimi i Tony Blair në Kosovë dhe në rajon manifestohet nëpërmjet punës që Fondacioni i tij po bën për të zhvilluar programe edukative për të nxitur marrëdhënie më të mirë dhe të kuptuarit në mesin e brezit të ardhshëm të nxënësve, si në Kosovë ashtu dhe përtej kufijve ndërkombëtarë.

“Face to Faith” është një program për shkollat globale që bashkon nxënësit e moshave 12-17 vjeçare në të gjithë botën duke përdorur teknologjinë digjitale. Programi promovon ndërtimin e paqes, duke krijuar mundësi për studentët e feve, kulturave dhe besimeve të ndryshme duke mësuar drejtpërdrejt nga njëri tjetri dhe për njëri-tjetrin. Duke përdorur pajisje falas për video-konferenca dhe një web site të sigurt, nxënësit punojnë së bashku për të shqyrtuar çështjet globale si: të mjedisit, të drejtave të njeriut dhe varfërisë nga perspektiva të ndryshme. Ata hetojnë arsyet për pikëpamjet e ngjashme dhe të ndryshme, botës të duke praktikuar aftësitë kryesore të bisedimeve dhe zgjidhjen e konflikteve.

“Face to Faith” aktualisht është aktiv në 18 vende të botës: Australi, Kanada, Egjipt, Indi, Indonezi, Izrael, Itali, Jordani, Liban, Meksikë, Pakistan, Territoret palestineze, Filipine, Singapor, Ukrain, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania e Madhe dhe ShBA. Shtimi i shkollave të Kosovës do të rrisë numrin në 19.

“Tony Blair Faith Foundation”

Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, feja është në thelbin e jetës për miliarda njerëz dhe kjo nuk mund të shpërfillet. “Tony Blair Faith Foundation” synon të promovojë respekt dhe mirëkuptim midis feve kryesore. Ky fondacion, mbështetë dhe trajnon të rinj në mbi 140 vende për të ndërmarrë veprime në të cilat përfshihen shumë besime, për të eliminuar vdekjet nga malaria, duke iu ofruar atyre një alternativë pozitive për ata që përpiqen të përdorin besimin si një mjet përçarjeje. Fondacioni iu ofron liderëve të rinj dhe aktual arsimim dhe analiza për të kuptuar rolin e fesë në botën moderne dhe thyerjen e barrierave mes të rinjve të të gjitha besimeve dhe atyre jobesimtarë, duke përdorur teknologjinë e re për të lidhur ata. (G.E)