Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 19:45

Prishtinë -Duhet anuluar vendimi i marrë nga Ministria e Tregtisë për aplikimin e masave mbrojtëse të përkohshme në importin e çimentos, dhe se tarifa e ngritur prej 35% vjen në kundërshtim me çdo lloj logjike ekonomike por edhe çdolloj synimi politik. Kështu u tha të hënën në konferencë-protestën e mbajtur nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me importuesit kosovar të çimentos.

 Vendimi i MTI-së për tarifën prej 35 për qind për import të çimentos i ka revoltuar mjaft shumë prodhuesit nga Shqipëria. Disa prej tyre me pankarta në duar kërkuan në Prishtinë anulimin e këtij vendimi, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe në kundërshtim me rregullat e tregtisë së lirë. Këtë qëndrim kishin edhe përfaqësuesit e asociacioneve të biznesit të të dyja vendeve. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se ky vendim për masa të përkohshme mbrojtëse është i pamenduar mirë dhe nuk shkon në favor të avancimit të bashkëpunimit ekonomik. Ai tha se ky vendim nuk është në përputhje me kodin doganor të Kosovës, që përcakton tarifa 0 ose 10 për qind.

Kryetari i Dhomës së tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, tha se vendimi nuk është i bazuar në argumente logjike dhe nuk shkon as në favor të konsumatorëve. Këtë vendim e kundërshtoi edhe ambasadori shqiptar në Prishtinë, Islam Lauka. Duke thënë se ka kundërshtuar edhe vendimin e Shqipërisë për referencën në prodhimet e patateve të Kosovës, ai theksoi se administratat e të dy vendeve nuk janë për të krijuar barriera, por për të zvogëluar apo eliminuar tërësisht ato.

Deri në qershor, prodhuesi Sharrcem-Titan ka përmbushur 40 për qind të tregut, Fushë-Kruja ka përmbushur 32 për qind të tregut kurse Titan Shkup nga Maqedonia 17 për qind të tregut në Kosovë. Vendimi për masa mbrojtëse është marrë me 11 qershor nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. (LajmeShqip.com)