Prishtinë – Kusari-Lila sqaroi sot në një konferencë për media se vendimi për vendosjen e një tarife prej 35 për qind për çimenton e importuar, është marrë në mënyrë që të shikohen rrethanat që kanë sjellë deri te një import që nuk përkon me tregun e deritashëm të çimentos.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila tha sot se vendimi që ka marrë ditë më parë për vendosjen e një tarife për çimenton e importuar, është marrë mbi bazën e Ligjit për masat mbrojtëse në importe dhe konform Marrëveshjes CEFTA.
Ajo madje tha se deputetët që kanë kundërshtuar këtë vendim në Kuvendin e Kosovës, nuk u janë referuar as ligjeve, as marrëveshjeve. “Unë konsideroj se argumentet që janë prezantuar nga përfaqësues të Kuvendit pa dallime politike, janë argumente që nuk i kanë marrë për bazë ligjet dhe marrëveshjet”, tha ajo.
Ministres së Tregtisë, i ka kërkuar edhe vetë Grupi Parlamentar i partisë së saj, AKR, që ta tërheq këtë vendim. Por, Kusari-Lila e bën të qartë se kur mund të tërhiqet ky vendim. “Në rast se vërtetohet se rëniet e SharrCemit kanë të bëjnë tërësisht me një konkurrencë të lirë, e cila nuk e ka për bazë një profit të menjëhershëm të importuesit dhe dëmtim të prodhuesit, i cili mund të jetë i parekuperueshëm, por është vetëm konkurrenca e lirë, atëherë menjëherë hiqet masa”, u shpreh ajo.
Ministrja Kusari-Lila mohon të jetë marrë një vendim i tillë për rritjen e konkurrueshmërisë së SharrCemit, si një prej prodhuesve që mbulon 33 për qind të tregut të çimentos në vend.
Ajo tha se kjo është masë e përkohshme mbrojtëse për prodhuesin vendor dhe do të mbetet në fuqi deri në qartësimin e situatës së përgjithshme. Kusari-Lila theksoi se nga ky vendim nuk pëson konsumatori i Kosovës, ndërsa për gjithë debatin rreth kësaj çështjeje, ajo drejtoi dy pyetje: A jemi në mbrojtje të prodhimit vendor dhe a jemi duke krijuar kushte për prodhuesit, apo për importuesit?
Duke folur në emër të Qeverisë, ajo dha vetë përgjigje në këto dy pyetje, duke thënë se prodhimi është dhe do të mbetet bazë e ekonomisë së qëndrueshme, rritjes ekonomike dhe e krijimit të vendeve të reja të punës. (RTK)
Saturday, 16 June 2012 21:34