Lajme Shqip Saturday, 16 June 2012 15:42

Prishtinë – Policia e Kosovës ka arrestuar të premten mbrëma një serb të armatosur, i cili është përpjekur të rezistojë gjatë arrestimit. Sipas burimeve policore, i arrestuari është një anëtar i grupeve ekstremiste të veriut të përkrahur nga Beogradi.

Merret vesh se i arrestuari quhet Damjan Shobiq dhe se ai është i kërkuar edhe nga drejtësia e Serbisë për akte të rënda kriminale, ndër të cilat edhe për vrasje në Beograd. Për këtë 29 vjeçar MUP-i serb ka lëshuar fletarrest në vitin 2011, për arsye të dyshimit se ka marrë pjesë në vrasjen e një qytetari serb, kurse më herët edhe si i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e një tifozi francez të ekipit Tolouse, i cili kishte ardhur të shikonte ndeshjen e ekipit nga qyteti i tij në Beograd. 

“Policë të Kosovës kanë tentuar ta arrestojnë personin, mëngjesin e së enjtes në kafiterinë ‘Vozhd’, në veri të Mitrovicës, por nuk kanë arritur. Disa orë më vonë, një ekspeditë e PK-së ka ndërmarrë një aksion në banesën e tij, në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës, duke vënë nën kontroll të dyshuarin. Sipas burimeve të Kohës Ditore, Shobiq gjatë arrestimit ka provuar të përdorë armën e tij, por nuk ia ka dalë.

Hetuesit e PK-së, në bashkëpunim me EULEX-in, janë duke verifikuar nëse ky person është i kërkuar edhe për vepra tjera penale. (K.N)