Tiranë – Teatri i Mitrovicës sjell mbrëmjen e sotme për publikun shqiptar dramën e Ridvan Dibrës “Na të birtë e shekullit të ri”, e cila bazuar mbi motivet e Migjenit trajton problemet e jetës së përditshme, ambicien, egoizmin e tepruar, hipokrizinë, egoizmin vetjak dhe tendencën e tjetërsimit.
Shfaqja me regji të Ben Apollonit trajton temën e një çifti në krizë marrëdhëniesh dhe identiteti me një plak të sëmurë mes tyre, nën interpretimin e aktorëve Mirsad Ferati, Leonora Hasani dhe Burim Brahimi. Protagonisti Mirsad Ferati, njëkohësisht edhe drejtor i Teatrit të Mitrovicës, tregon se roli i tij është ai i jetës së pjesës më të madhe të regjisorëve. “Personazhi që unë luaj është ai i një regjisori shqiptar të cilit i jepet rasti të shkojë në Berlinale. Roli im ka probleme bazike. Një regjisor që harron familjen, shoqërinë, gjithçka sepse i përkushtohet 100% teatrit”, shprehet aktori Ferati.
Burri, regjisor teatri në njërën anë, gruaja, pedagoge e gjuhës shqipe në anën tjetër, janë kombinimi më i tmershëm i një çifti. Pangopësia e regjisorit në krijimtari teatrale e gjithashtu ambiciet e gruas për doktoraturë jashtë vendit, ambiciet e mëdha, egoizmi i tepruar kanë bërë që ata të harrojë njëri-tjetrin dhe gjithçka tjetër.
Ndërgjegje të trazuara e që për Zot kanë veç egoizmin vetjak, raporte të paqëndrueshme e cinike me vlerat, me të kaluarën e të tashmen. Kjo është një dramë “pa fund”, që do të shfaqet sot në Teatrit Kombëtar. Drama është shfaqur premierë vitin që shkoi në Teatrin e Mitrovicës dhe është shfaqur në disa qytete të Kosovës. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 June 2012 20:53