Lajme Shqip Thursday, 14 June 2012 19:00

Tiranë – Banka e Shqipërisë, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, ka hapur proçedurën e tenderimit për shtypjen e monedhave metalike për qëllime numizmatike, pa kurs ligjor, që nuk do të kenë vlerë për shitblerje malli.

Për realizimin e këtij projekti, BSH pritet të çelë në 9 korrik tenderin, ku nuk do të mungojnë edhe oferta nga shoqëri të huaja. Kjo nismë e BSH-së i bashkohet projektit madhor të Qeverisë për kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Numizmatika është shkenca që merret me koleksionimin e monedhave nga më të hershmet e deri në ato të shtypura në kohën më të fundit. Në vendin tonë prerja e monedhave e ka zanafillën që në shekujt VII-VI p.e.s në Dyrrah (Durrësi i sotëm) dhe Apolloni (Pojan i Fierit). Janë pikërisht monedhat e kësaj periudhe, të cilat shënojnë pikënisjen e historisë të koleksionit të monedhave për qëllime numizmatike.

Vetëm në gjysmën e vitit 1970 numizmatika filloi të marrë popullaritet edhe për të koleksionuar kartëmonedha. Sot monedhat metalike dhe kartëmonedhat përbëjnë objekt koleksionimi për të gjithë numizmatët në botë. Edhe në Shqipëri është krijuar Federata e Koleksionistëve, në të cilën aderojnë të pasionuar në fushën e koleksionimit të monedhave, kartëmonedhave dhe të pullës shqiptare.

Monedhat metalike për qëllime numizmatike shiten nga BSH, në varësi të numrit që porosit, dhe variojnë nga 250 lekë deri në 3000 lekë. Deri janë prodhuar modele për qëllime të ndryshme, si 90-vjetori i Pavarësisë, 85-vjetori i Tiranës kryeqytet, si dhe medaljoni i 70-vjetorit të BSH, i cili është më i shtrenjti dhe më i kufizuari në blerje. (LajmeShqip.com)