Prishtinë (PLOTESUAR 17:20)- Qeveria e Republikës së Kosovës dënoi sot ashpër aktin kriminal të vrasjes së kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj. “Ky është një veprim i rëndë kundër individit dhe shoqërisë kosovare, kundër institucioneve demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha është një veprim kundër funksionimit të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”, deklaron qeveria, në një komunikatë për media.
Qeveria kërkon nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që autorët e kësaj vrasjeje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. (LajmeShqip.com)
*****************************************
Prishtinë (PLOTESUAR 17:10) – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dënuar vrasjen e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj. “Vrasja makabre e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, është një akt i shëmtuar dhe kriminal. Ky akt ka ngjallur pezëm te të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe institucionet e vendit. Kërkojmë nga organet e rendit që të zbulojnë autorët e vrasjes dhe t’u japin dënimin e merituar”, theksohet në deklaratën e kryekuvendarit Krasniqi.
Ai i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Asanaj, në të cilin, ndër të tjera, ka shkruar se Dino Asanaj do të kujtohet si një personalitet që ka dhënë gjithçka për të mirën dhe zhvillimin e Kosovës. (LajmeShqip.com)
*********************************************
Prishtinë – Drejtori i klinikës kirurgjike në Prishtinë, Mehmet Maxhuni, e ka konfirmuar për portalin LajmeShqip.com, se Dino Asanaj, drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nuk i mbijetoi plagët e sulmit me thikë, me gjithë përpjekjet e mëdha të personelit mjekësor.
“I ndjeri Asanaj, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka arritur rreth orës 13:00, dhe personeli mjekësor ka intervenuar shumë shpejt. Ka pasur dy therje, një në fyt dhe një në gjoks, që i ka prekur mushkëritë dhe zemrën, dhe disa të tjera që nuk kanë qenë vdekjeprurëse. Me gjithë përpjekjet, i ndjeri ka ndërruar jetë rrethe orës 14:20”, shpjegoi Maxhuni.
Më herët, Policia e Kosovës ka konfirmuar, se Dino Asanaj, ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga shoferi i tij. Zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadriu, nuk ka dashur të komentojë shumë për rastin, por tha se lidhur më këtë incident ka marrë informacion nga linja telefonike ndihmëse e policisë.
Motivet e këtij sulmi, Policia e Kosovë e nuk i ka mësuar, por siç thonë ata, hetimet janë duke vazhduar, dhe shumë pista janë të hapura. Policia, po ashtu bën të ditur se në ketë rast janë inkuadruar edhe njësitë për hetimin e krimeve të rënda.
Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka konfirmuar se trupi i pajetë i Asanajt është vendosur në institut dhe të premten, me urdhër të Gjykatës së Qarkut, do t’i bëhet autopsia. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 June 2012 16:18