Shkup – Qeveria e Maqedonisë dhe Shoqata e Gazetarëve arritën sot marrëveshje për dekriminalizimin e shpifjes.
Gjithashtu në kuadër të këtij takimi është arritur edhe marrëveshja për nivelin e dënimeve, me ç`rast rreth 2 mijë euro do të jetë gjoba për gazetarët, 10 mijë euro për kryeredaktorët dhe 15 mijë euro për pronarët e mediave.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani ka theksuar se marrëveshja konsiderohet si një kompromis optimal. Sipas tij, ligj i ri do të vihet në debat, mirëpo nga ana tjetër, ky ligj nuk duhet të keqinterpretohet me atë se gazetarët nuk do të duhet të mbajnë përgjegjësi për punën që do ta bëjnë në të ardhmen, por përkundrazi përgjegjësia e tyre do të jetë akoma më e madhe.
Deri më tani për tani dënimi për shpifje parashikonte burg prej 3 vjetësh ndërsa për ofendim 1 vit. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri do të ndërpriten procedura për 167 gazetarët e paditur, procesi i të cilëve akoma vazhdon. 
Zëvendëskryeministrja për evrointegrime, Teuta Arifi si udhëheqëse e negociatave nga ana e Qeverisë theksoi se në rast se bisedohet mund të arrihet marrëveshje për të gjitha çështjet, ndërsa ajo shpreson se kjo marrëveshje do të jetë pozitive edhe nga ana e BE-së. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 13 June 2012 16:10