Pas 115 viteve të kaluara bashkë në parkun zoologjik të Austrisë, dy breshkat gjigante kanë vendosur që të ndahen.
Bibi dhe Poldi tani nuk jetojnë më në të njëjtin kafaz, ndërkohë që mediat këtë ngjarje e kanë quajtur si “Divorci i martesës më të gjatë të botës së kafshëve”.
Dy breshkat të moshës 115 vjeçare, janë rritur së bashku dhe 36 vitet e fundit i kanë jetuar në të njëjtin kafaz. Siç duket, kohëve të fundit dashuria mes tyre është ftohur dhe është vërejtur se ato nuk duken më të lumtura së bashku. Pikërisht për këtë arsye të punësuarit në parkun zoologjik kanë vendosur që t’i ndajnë.
“Shihet se nuk e durojnë më njëra-tjetrën. Nuk e dimë arsyen, por kjo është e vërtetë!” ka thënë drejtoresha e parkut, Helga Hap.
Iniciatore për këtë “divorc” ka qenë breshka femër, Bibi, e cila ka sulmuar Poldin. Për këtë ngjarje është ftuar edhe veterinari që t’i kontrollojë dhe as ai nuk ka arritur që ta qetësojë Bibin.
Në botën e kafshëve kjo është një sjellje e rrallë dhe nuk është zbuluar ende se çfarë e ka nxitur kafshën në këtë reagim. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 12 June 2012 13:56