Lajme Shqip Tuesday, 12 June 2012 13:49

Prishtinë – Në përvjetorin e 13 të çlirimit të Kosovës krerët e institucioneve thonë se zhvillimi i vendit ka qenë i shkëlqyeshëm dhe se janë bërë përparime të mëdha drejtë demokratizimit. 

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga gjatë fjalimit të saj në konferencën “Kufijtë në zhvillim” që është mbajtur në Uashington ka sjellë në kujtesë luftën në Kosovë, që sipas saj, nuk ka qenë e nevojshme të ndodhë, por, “që ngjau për shkak të një diktatori i cili kishte fuqinë për të mbjellur farat e mosbesimit dhe për të krijuar frikë”.“Na ka mbetur ne të rindërtojmë, të zhvillohemi, të kujtojmë, dhe të mos i përsërisim gabimet e së kaluarës” ka thënë para të pranishmëve Jahjaga. Por, për të pasur sukses, ky mision, ajo ka thënë se është i nevojshëm ndërtimi i demokracive në rajon. 

Zhvillimi i vetë Kosovës, që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, që i dha fund shtypjes, ishte i shkëlqyeshëm, ka thënë Jahjaga, por ndonjëherë, sipas saj, ishte edhe i ngadalshëm.“Periudha e jashtëzakonshme pas luftës në Kosovë ka zgjatur më shumë se sa pritej dhe kjo ka ngadalësuar zhvillimin e vendit në shumë fusha, duke e bërë atë më të varur nga ndihmat e jashtme se sa që ishte parashikuar. Kjo varësi ekonomike dhe politike ndonjëherë ka ngadalësuar procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe konsolidimin e klasës politike të vendit”, ka thënë ndër të tjera Jahjaga.

Ndërkohë zëvëndëskryeministri Hajredin Kuqi pas mbledhjes së sotme të qeverisë tha se asnjëherë Ballkani nuk ka qenë më i qetë sesa pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Megjithatë sipas tij çështja e veriut mbetet sfiduese.Para 13 vitesh, trupat e NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës 78 ditëshe të sulmeve ajrore dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, duke i dhënë fund luftës në Kosovë. (LajmeShqip.com)