Lajme Shqip Monday, 11 June 2012 20:03

Tiranë – Në kuadër të 134-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të 13-vjetorit të çlirimit të Kosovës si dhe të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në një ceremoni solemne të zhvilluar sot në mjediset e institucionit të Presidentit, kreu i Shtetit shqiptar, Bamir Topi dekoroi disa personalitete të shquara nga Kosova, njoftojnë mediat shqiptare.

“Sot ndihem krenar që në emër të shtetit shqiptar nderoj me dekoratën më të lartë Adem Jasharin, heroin legjendar të luftës për çlirimin e Kosovës, prijësin fjalëpak dhe simbolin frymëzues për miliona të rinj shqiptarë, njeriun që tashmë e nderon përjetë çdo familje, çdo qytet e çdo komunitet shqiptar në botë”, tha presidenti Topi.

Ai u shpreh gjithashtu se ndihej krenar që nderon heronjtë e tjerë të Kosovës së re: Fehmi Lladrovcin dhe bashkëshorten e tij Xhevën; Ukshin Hotin dhe Afrim Zhitinë, si dhe emra të tjerë të shquar deri tek mjeshtrit e pavdekshëm të fjalës dhe zërit, Sulejman Krasniqi dhe Dervish Shaqa.

Presidenti shqiptar veçoi sikurse e cilësoi, një emër simbol qëndrese dhe disidence, një intelektual atdhetar dhe qytetar, shkrimtarin dhe veprimtarin e të drejtave të njeriut, “Mandelën e Lirisë” dhe heroin e gjallë të Kosovës, Adem Demaçin. Ai shtoi se nderimi do të vazhdojë në ditët e ardhshme edhe me figura të tjera përfaqësuese të Kosovës dhe të mbarë botës shqiptare, sepse të gjithë, pavarësisht kufijve dhe fateve historike, kanë luftuar e punuar për flamurin, emrin, dinjitetin dhe të drejtat e kombit shqiptar.

Ai tha se duke nderuar sot personalitete të tilla të shquara shteti shqiptar nderon plejada të tëra shqiptarësh që luftuan për atdhe e flamur, që vuajtën ndarjen dhe terrorin pushtues, që sakrifikuan jetët e tyre dhe familjet. (LajmeShqip.com)