Lajme Shqip Sunday, 10 June 2012 11:50

Prizren – Në qytetin historik të Prizrenit, kanë nisur që dje veprimtaritë e festimeve të përvjetorit të 134-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Me ekzekutimin e himnit kombëtarë dhe atij shtetërorë të Kosovës manifestimet kulmuan me manifestimin qendror në orën 11:00, në ndërtesën ku dhe u mbajt Lidhja e Prizrenit 134 vite më parë, ku mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. 

Kryeministri Kosovës Hashim Thaçi: Thaçi gjatë manifestimit në kuadër të 134 vjetorit të mbajtjes së Lidhjes Shqiptare të Prizërenit theksoi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit vuri themelet e ndërgjegjes kombëtare duke e vlerësuar si organizatën më të rëndësishme të kombit shqiptar. Thaçi u shpreh se në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë, shqiptarët nderojnë ngjarjen më të madhe të kombit shqiptar në shekullin e 19-të. 

“Lidhja e Prizrenit e krijuar më 10 qershor 1878 me përfaqësuesit e të gjitha viseve shqiptare ishte një organizatë mjaft e rëndësishme, me karakter politik, ushtrak për t’iu kundërvënë atyre që tentonin pushtimin e trojeve shqiptare”, tha Thaçi. 

Kryeministri Thaçi gjithshtu falenderoi NATO-n, SHBA-në dhe të gjithë kombet mike të kombit shqiptar për ndihmën që kanë sjellë për Kosovën dhe Shqipërinë. “Sot Kosova po konsolidohet dhe zhvillohet. Kufijtë për shqiptarët po hapen. Sot ne ndërtojme një autostradë, autostradën e integrimit, Sot kemi një abetare të unifikuar. Sot unifikohemi kulturalisht. Po zhvillohemi dhe naltësohemi si komb. Kemi një synim për tu bërë pjesë e familjes së madhe evropiane”, u shpreh Thaçi. 

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha: Kryeminsitri Berisha e cilësoi Lidhjen e Prizrenit si mrekullinë më të madhe të të gjitha kohërave, pas luftrave të Skëndërbeut. ‘134 vjetori i Lidhjes së Prizrenit përbën mrekullinë më të madhe, mbase të të gjitha kohërave. Lidhja e Prizrenit shënon ngjarjen me kulmore pas luftërave të Skënderbeut’,- deklaroi Berisha.

Kryetari i komunës së Prizrenit Ramadan Muja: Kryetari i komunës së Prizrenit Ramadan Muja në fjalën e tij u shpreh se ky përvjetor bëhet më i rëndësishëm, sepse mbahet në vigjilje të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ndërkohë theksoi se sot Shqipëria dhe Kosova janë të pandara në rrugen e tyre Europiane.

“Misioni i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është udhërrëfyesi më i mirë i përpjekjeve tona. Me këtë mision Shqipëria në shekuj për të ecur edhe pse u copëtua dhe u nda nuk u gjynjëzua kurrë. Shqipëria udhëhoqi përpjekjet e Kosovës për liri e pavarësi”- nënvizoi Muja, i cili shtoi gjithashtu se Shqipëria dhe Kosova janë një e të pandara për vizionin evropian. (LajmeShqip.com)