Tiranë (PLOTESUAR 18:50)- Ne jemi plotësisht të vullnetshëm të japim konsensusin për një kandidaturë që duhet identifikuar pa humbur kohë përmes dialogut mes të gjitha palëve”, tha sot, Kreu i PS-së, Edi Rama, i cili bëri thirrje njëkohësisht për vazhdimin e dialogut konstruktiv për zgjedhjen e presidentit, pa kushte dhe paragjykime.
Gjatë një konference për shtyp, Rama tha se, “djegia e raundit të 3-të për zgjedhjen e presidentit pa konsensus, nuk ishte një ogur i mirë për raundin e katërt”. Por, sipas tij, “tërheqja pas e kandidatit jokonsensual rihap rrugën e konsensusit dhe i jep mundësinë opozitës të konfirmojë qëndrimin e vetë publik”.
Rama tha se, “janë absolutisht të gjitha mundësitë që zgjedhja e presidentit të ri të Republikës me konsensus të kthehet në një shprehje të fuqishme të aftësisë së Shqipërisë për të ecur përpara në kërkim të statusit të kandidatin për në BE”. Kreu i PS-së, siguroi kryetarin e shumicës dhe aleatët e tij në koalicionin qeveritar se, opozita parlamentare në këtë proces ka vetëm një interes, interesin kombëtar në vigjilje të provimit të Shqipërisë në 12 tetor, në Bruksel për marrjen e statusit”.
“Ne kemi vetëm një qëllim, konsensusin për një kandidaturë që të marrë mbështetjen e gjithë Kuvendit të Shqipërisë. Kemi vetëm një kërkesë, dialogun konstruktiv pa parakushte e paragjykime mes palëve, për të identifikuar një kandidaturë konsensuale”, tha Rama. Sipas tij, “vizioni i opozitës është të zgjedhim Presidentin e ri të Republikës me votat e qeverisë dhe opozitës, të hapim menjëherë bashkarisht procedurën për heqjen dhe kufizimin e imunitetit dhe të bëjmë kompromisin e nevojshëm për reformën parlamentare dhe atë zgjedhore”.
Gjithashtu, Rama kërkoi që qeveria dhe opozita ti drejtohen familjes europiane para përfundimit të këtij sesioni parlamentar, për të kërkuar njëzëri që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit në 12 tetor”. “Vetëm të bashkuar në emër të interesit kombëtar ne mund t’ia dalim kësaj sfide të vështirë dhe komplekse që nis me zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ne jemi gati në çdo moment për tu përfshirë në çdo formë komunikimi dhe dialogu mes palëve, që të kontribuojmë me të gjitha energjitë tona pozitive për kapërcimin e këtij momenti delikat. Çdo krizë është gjithnjë medalje me dy anë: nga njëra anë është futja e mëtejshme në spiralen e saj, nga ana tjetër mundësia e daljes në një rrugë të re. Ne duam të dytën dhe do të bëjmë gjithçkka mundemi që kjo të ndodhë”, tha Rama. (LajmeShqip.com)
*****************************************
Tiranë (PLOTESUAR 17:00)- Pas përfundimit të mbledhjes në selinë rozë, të kreut të PS-së Edi Rama me aleatët e tij, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, deklaroi për mediat, se me tërheqjen nga gara të kandidatit të mazhorancës për postin e Presidentit, Xhezair Zaganjori, Kryeministri Berisha e ka humbur të drejtë e propozimit të një tjetër kandidature.
Ai theksoi se në këtë situatë, tashmë të drejtën e propozimit të kandidatit për President, e ka opozita. “Juridikisht, në funksion të konsensusit, i cili nuk është një zgjidhje e kërkuar nga ne, por nga evropianët, konsensusi nuk mund të vazhdojë në rast se të drejtën e propozimit nuk e ka opozita. Berisha e ka humbur të drejtë e propozimit sepse nuk është serioz në një marrëveshje”, Ai nuk ishte i vendosur të shkonte deri në fund, madje ai dukej që tallej me anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, deklaroi aleati i PS-së, Spartak Ngjela. (LajmeShqip.com)
*******************************************
Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbledhur të premten, në selinë e PS-së, drejtues të partive aleate për të diskutuar rreth çështjes më të rëndësisshme politike në vend, zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.
Takimi vjen vetëm pak orë pas mbajtjes në Kuvend të raundit të tretë të votimit për presidentin e ri të vendit, ku sërish në konkurim nuk u paraqit asnjë kandidaturë, dhe në këtë mënyrë, raundi sipas Kushtetutës u konsiderua i kryer. Deri tani, opozita nuk ka artikuluar një kandidaturë të sajën, ndërsa është shprehur se është për një proces konsensual dhe transparent.
Ndërkohë, Konferenca e Kryetarëve vendosi me konsensus që raundi i katërt i votimit të presidentit të ri të zhvillohet ditën e hënë, më 11 qershor, ora 10:00. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 June 2012 15:14