Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 12:25

Tiranë – Kuvendi konsumoi të premten edhe raundin e tretë të votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës pasi në konkurim nuk u paraqit asnjë kandidat dhe në këtë mënyrë, sipas ligjit, votimi u konsiderua i kryer.

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, në fund të seancës bëri të ditur thirrjen e konferencës së Kryetarëve për të caktuar datës e raundit të katërt, ndërsa njoftoi deputetët se pas kësaj mbledhje Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë për të miratuar datë e raundit pasardhës. Sipas rregullores, raundi i IV-të zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të tretë.

Konferenca e Kryetarëve e grupeve parlamentare vendosi të premten me  konsensus që raundi i katërt i votimit për presidentin e ri të Republikës të zhvillohet ditën e hënë, ora 10:00.  Lajmi u bë i ditur pas mbledhjes nga drejtuesja e konferencës, kryeparlamentarja Jozefina Topalli. E pyetur nga gazetarët nëse në raundin e katërt do të arrihej konsensus për presidentin Topalli u përgjigj se ekzistojnë të gjitha mundësitë

Raundi i sotëm në Kuvend, ndonëse pa një kandidat zyrtar, nuk i ngjante dy të parëve pasi palët përmes përfaqësuesve të tyre reaguan për situatën ende pa një emër. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi akuzoi kryeministrin Sali Berisha si pëgjegjës për dështimin për herë të tretë të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës, një proces që sipas tij është shumë i rëndësishëm për vendin në marrjen e statusit të kandidatit në BE. 

Ndërsa, kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij u shpreh se dogma dhe mashtrimi janë shinat mbi të cilat lëviz opozita. Ai bëri përmbledhje të qëndrimeve në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se marrëveshja e firmosur në 2009 me LSI-në është një detyrim që çdo hap të bëhet në ujdi me këtë forcë politike.

“Ju ftoj të angazhoheni në një proces të emancipuar. Bëni lëvizjen tuaj. Nuk ka në politikë gjithçka apo asgjë. Ju ftoj të mbështesni kandidaturën që kemi votuar të dy në parlament. Propozoni një kandidat me vlera më të larta dhe ju jap fjalën se do ta konsideroj në mënyrë më serioze. Përndryshe ju do jeni Rilindja e bllokut. Më mirë ndahuni prej tij dhe urdhëroni në bashkëpunimin që ofroj.”

“Ju thashë të paraqisni kandidaturë në këto fusha. Ky ishte zotimi im dhe për këtë jam i bindur se zoti Zaganjori është kandidatura e duhur, ju sillni kandidatin tuaj. Ju deklaronit: Jo nuk sjellim kandidat. Ku flen lepuri. Nuk ka pyetje më të mençur? Lepuri fle te Fatos Nano. Po, Po. Si ka mundësi, ju kaq të panjohur sa nuk mund të nxirrni një kandidat. E deklarova që në fillim që ai është lideri historik i së majtës e se votoj. Juve ju mbajti 8 vjet në pushtet çfarë kërkon më shumë prej tij. Të qahemi ne që na mbajti 8 vjet në opozitë ok. Po ju cfarë patë kush jua solli Fatos Nanon? “- deklaroi Berisha.

“Në vetëdijen time më të thellë, Jozefina Topalli do përfaqësonte këtë vend në mënyrën më dinjitoze. Pyeteni kryetarin tuja e Klosin cfarë ju thanë për Topallin. Nuk ja u thotë dot. Ka drejtuar në mënyrën më të vendosur e të panashme parlamentin. Ka përfaqësuar Shqipërinë në mënyrën më dinjitoze. Kryetari juaj e ka nga lufta e klasave, komplekset e tij. “- tha Berisha.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste deklaroi “Jemi dëshmitarë të një dështimi për herë të tretë. Nuk është dështimi ynë, as i këtij parlamenti- në gjykimin e opozitës- ka një emër që është kreu i mazhorancës, kryeministri Berisha. As predikuat dhe aq më pak të provonit të punonit për asnjë moment për të arritur në një zgjidhje të dakordësuar konsensuale”- deklaroi Gramoz Ruçi

Në këtë moment ndërhyn kryetarja e Kuvendit Topalli: “ Ka dy vjet që thotë se fajin e ka berisha është turp, talleni me shqiptarët, luani teatro”

Më tej Ruçi tha “Nuk bëtë asnjë përpjekje për të zbatuar në frymë e në germë kushtetutën që shqiptarët ta kanë dhënë me votën e tyre, dhe aq më pak me deformimin e votës së tyre .Rama 40 ditë para të ofroi dhe tre ditë parë, të dielën isha dëshmitarë që në tryezën ku ju u ulët të bëri një ofertë maksimaliste në tavolinë. Oferta nuk ishte pazar emrash, partiake, persona, por serioze, qasje e vizion politik, për interesat e vendit. Jo për t’i dhënë ju konsensusin opozitës, por opozita konsensusin ju. Ofertat që Rama të bëri në tryezë ishin për reformën zgjedhore, për reformën parlamentare duke thënë troç jam gati të jap konsensusin për presidentin nëse bën reformën.

Të punojmë bashkarisht për presidentin konsensual, reformën zgjedhore, parlamentare dhe kufizimin e imunitetit ta mbarojmë brenda qershorit. Të ofroi vullnetin e mirë që pasi të kishit bërë këtë të shkonit bashkë në Bruksel e ti thotin ja ku jemi me detyra shtëpie të plotësuara dhe të kërkonim statusin e vendit kandidat. Ne përsëri vazhdojmë të shpresojmë. Jemi në dispozicion të këtij procesi edhe gjatë ditëve në pritje të raundit të katërt. Asnjëherë nuk është vonë për të korigjuar dhe thirrur koshiencës sonë politike e kombëtare për interesat e vendit”(Lajmeshqip.com)