Lajme Shqip Thursday, 07 June 2012 20:24

Tiranë – Partiturat e kompozuara nga Çesk Zadeja për filmin “Skënderbeu” u ekspozuan sot për herë të parë, pak ditë kur një kopje e tyre u mor nga Arkivat e Moskës  ku origjinalet qëndrojnë nga  viti 1953.

Prezantimi i tyre u zhvillua sot në Qëndrën Kulturore të Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, në kuadër të 85-vjetorit të lindjes së  Çesk Zadesë , i  cilësuar si babai i muzikës shqiptare. I biri i tij, Alban Zadeja, tha për LajmeShqip.com, se partiturat e filmit “Skëndërbeu” kanë ardhur në Shqipëri nga Piro Milkani për dublimin në kohë që ai do t’i bëjë filmit “Skëndërbeu”. “As babai nuk ka mundur t’i kishte partiturat e tij, pasi prej realizimit të filmit në bashkëpunim me “Moskfilm” partiturat origjinale kanë qënë pjesë e arkivave ruse”, tha Zadeja.

Në kuadër të 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit që ishte një prej formuesve të shumë institucioneve muzikore në vend, muzikologë të ndryshëm referuan në lidhje me veprimtarinë dhe kontributin e tij në muzikën shqiptare në një Akademisë Përkujtimore.   Muzikologu Vaso Tole tha për kompozitorin Zadeja se,  Ai e ktheu kompozimin në një akt dashurie në një kohë kur muzika ishte në shërbim të ideve politike.

“Zadeja qëndroi për 50 vite në qendër të botës muzikore shqiptare dhe solli një erë të re të saj”, tha Tole. Ndërsa kompozitori Ermir Krantja tha për Çesk Zadenë se tek ai gjendet baza e muzikës mbi të cilën zhvillohet muzika tradicionale shqiptare. “Tek Zadeja gjendet mësuesi”, tha Krantja. Muzikologu Fatmir Hysi  e cilësoi Zadënë si kompozitori që krijoi një ndërgjegje dhe identitet të ri kombëtar. “Çesk Zadeja ishte ndër të parët që kërkoi të çonte përpara mendimin intelektual dhe muzikën shqiptare. Ai krijoi një muzikë përtej dogmave shoqërore”, tha Hysi. Sipas tij, kompozitori, mësues i dhjetra artistëve ndër vite, solli një muzikë të frymëzuar nga vetë artisti, përtej fasadave të një muzike sipërfaqësore.

Aktivitete në përkujtim të kompozitorit Çesk Zadeja do të vazhdojnë mbrëmjen e nesërme me një koncert në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit ku nën dirigjimin  e Bujar Llapaj , Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletiti do të luajë vepra të Zadesë. Çesk Zadeja lindi më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, dhe vdiq më 15 gusht të vitin 1997 në Romë.  Ai është njëri prej formuesve të shumë institucioneve muzikore si dhe drejtues i tyre, siç janë: Konservatori (sot Akademia e Arteve) ku punoi si pedagog  për tu emëruar paskësaj si udhëheqës artistik në Tetarin e Operës dhe Baletit deri në vitin 1966.

Influenca e krijimtarisë së Zadesë ishte e madhe tek një sërë krijuesish pasi veprimtaria e Zadesë në lëmin e kompozimit në tërësinë e saj ka qenë dominante dhe udhërrëfyese për gjeneratat, të cilat i ka mësuar si pedagog në Akademinë e Arteve të Tiranës. (LajmeShqip.com)