Lajme Shqip Thursday, 07 June 2012 13:55

Tiranë (PLOTESUAR 16:10)- Kryetari i LSI, Ilir Meta ka deklaruar se Xhezair Zaganjori është kandidati, i cili është votuar nga dy palët PS e PD në Kuvend kur është propozuar në Gjykatën Kushtetuese. Kësisoj, sipas Metës, Zaganjori është emri i duhur për një president konsensual.

“PS le të bëjë propozimet e saj për president. Dhe sa i takon Nanos, mund tju them se jam i apasionuar me ping pongun dhe Nano e luan mirë atë. Nano ka kontribuar në process për ta bërë publik dhe të debatueshëm. Por , LSI do t’i qëndrojë marrëveshjeve që ka me PD”, tha Meta. Deklaratat Meta i bëri pas takimit me Stefano Saninon. (LajmeShqip.com)

************************************

Tiranë (PLOTESUAR 15:10)- Kuvendi vendosi të enjten me 71 vota pro, 58 kundër dhe 1 abstenim që raundi i tretë i votimit për presidentin e ri të zhvillohet të premten, datë 8 qershor, ora 10:00. Kuvendi ka konsumuar deri tani dy, nga pesë raundet e votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, ndërkohë që në konkurrimin për garën presidenciale nuk është paraqitur asnjë kandidat zyrtar.

Pak orë përpara votimit të tretë për Presidentin e ri të vendi, kandidati i vetëshpallur Fatos Nano i ka kërkuar deputetëve socialistë që ta votojnë atë. Sërish nëpërmjet një deklarate shpërndarë nga Lëvizja për kandidaturën e tij, Nano ka vlerësuar vizitën e drejtorit për zgjerimin në BE, Stefano Sanino.


Në deklaratë Nano i kujton Ramës së Presidenti i ardhshëm nuk është një notar por garant i Kushtetutës. “Vini re, se me këtë mënyrë veprimi, me këtë mendësi otomane antigarë, kundër çlirimit të energjive më pozitive të politikës dhe qytetarëve shqiptarë, shpërfillet dhe asgjësohet edhe dinjiteti e vullneti i lirë edhe i vetë deputetëve. Opozita nuk mund të lejohet që të rrëzohet ndërsa bën gabimin duke shmangur Presidentin. Opozita mund të rritet duke lartësuar Presidentin”, deklaron Nano.

Ai shpjegon se në thirrjen drejtuar deputetëve të Grupit Kuvendor e bën për të shtuar arsyet për ta dashur më shumë këtë vendin tonë të kaqshumë vuajtur e kaqshumë nëpërkëmbur nga politika dhe politikanët e konflikteve dhe ngërçeve, refuzimeve dhe bllokimeve, urrejtjes dhe mosalternativave, retorikave dhe modestive. (LajmeShqip.com)

****************************************

Tiranë – Kuvendi do të vendosë në seancën plenare të ditës së sotme, nëse raundi i tretë i votimit për presidentin e ri do të zhvillohet më datën 8, 10 ose 11 qershor. 

Pas mbylljes pa rezultat të raundit të dytë të votimit më 4 qershor në Kuvend, Konferenca e Kryetarëve u mblodh për të caktuar datën e raundit të tretë për zgjedhjen e Kreut të shtetit. Shumica e anëtarëve në konferencë mbështetën propozimin që raundi i tretë të zhvillohet të premten, më 8 qershor. Por, ky propozim nuk u mbështet nga anëtarët e opozitës, të cilët propozuan dy data të tjera për këtë raund, ditën e diel, më 10 qershor, ora 10:00 ose ditën e hënë, më datë 11 qershor. 

Për mungesë konsensusi, Konferenca vendosi që zgjedhja e njërit prej këtyre propozimeve të bëhet sipas Rregullores së Kuvendit, në seancën e ardhshme plenare. Kuvendi ka konsumuar deri tani dy, nga pesë raundet e votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, ndërkohë që në konkurrimin për garën presidenciale nuk është paraqitur asnjë kandidat zyrtar.

Një ditë para caktimit të datës së raundit të tretë nuk duket se ka një përpjekje nga palët për arritjen e një marrëveshje. Në nisje të garës presidenciale në Kuvend më 30 maj, maxhoranca propozoi kandidaturën e gjyqtarit Xhezair Zaganjori, e cila u refuzua nga opozita, pasi e konsideroi ‘të njëanshme’.

Kryetari i Partisë Republikane, aleat me PD, Fatmir Mediu bëri apel sot që opozita ta shqyrtojë kandidaturën e Xhezair Zaganjorit që propozoi mazhoranca. “Ne kemi ofruar një kandidat, presim ndonjë gjykim nga ana e opozitës, një kandidat mbi palët, konsensual. Zaganjori përfaqëson një intelektual me vlera, të shquar të juri-prudencës, tashmë i ngelet që opozita të caktojë qëndrimin e vet lidhur me zotin Zaganjori, ose të nqs ka vlerësim për kandidatura të tjera, të sjellë kandidatura të tjera, ashtu sic ka thënë dhe kryeministri”.

Mediu nuk përjashtoi që konsensusi për Presidentin të mund të arrihet në raundin e 5-të.
“Unë mendoj që ne kemi përzgjedhur një kandidat për president dhe jo për raunde dhe këtë e kemi bërë në një diskutim brenda mazhorancës. PR ka kërkuar që cdo diskutim të bëhej brenda mazhorancës dhe është e gatshme ti nënshtrohet një diskutimi brenda mazhorancës gjithmonë ne kemi qenë seriozë në procesin për presidentin, në përzgjedhjen e një kandidature mbi palët për të arritur një konsensus, cili mund të arrihet dhe në raundin e 5-te”.  (LajmeShqip.com)