Tiranë – Një takim që duket se synonte të nxiste palët për të dalë nga llogoret ku ishin ngujuar dhe për të gjetur një konsensus për presidentin e ri të Republikës. 
Top Channel mësoi se në këtë takim kishte dalë emri i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Por historia e Fullanit do të mbyllej pak orë më vonë. Edi Rama, sipas burimeve të selisë rozë, e refuzoi kategorikisht të hënën përkrahjen e opozitës për guvernatorin si president.
Socialistët e nuk e kanë fshehur kundërshtinë për të edhe pak muaj më parë kur e votuan kundër edhe si guvernator, pa llogaritur arsye të tjera politike dhe jo politike.
Pas djegies së raundit të dytë të hënën, gjithçka do të niste nga e para. Të hënën në mbrëmje ambasadori Arvizu u takua në zonën e Bllokut, në zemër të Tiranës, me Ben Blushin, një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës në këto negociata.
Ndërsa të martën paradite, siç Top Channel mësoi nga burime të besueshme, makina e kreut socialist ka hyrë në kompleksin e vilave të ambasadës amerikane, duke u ndalur përpara shtëpisë së ambasadorit. 
Për rreth një orë, në një takim larg syve të publikut, Rama dhe Arvizu kanë diskutuar për mënyrat se si mund të arrihet zgjidhja. Lideri socialist, siç i thanë Top Channel burime pranë selisë rozë, i ka qëndruar deklaratave se mazhoranca duhej të tërhiqte kandidatin e saj për t’i dhënë udhë një proçesi tjeter, ku opozita angazhohej për të dhënë konsensus nëse mazhoranca do të propozonte emra të tjerë.
Duket se ky takim me Edi Ramën ka çuar në një tjetër takim, atë me Ilir Metën. Edhe ky larg syve të publikut, ndoshta edhe ky në kompleksin e vilave amerikane. Nuk dihet në detaje përmbajtja e takimit mes të dyve, por Meta dhe Arvizu kanë folur mbi rrugët e zgjidhjes së ngërçit, mënyrat se si mund të arrihet një kompromis mes të tre aktorëve politikë, Rama, Berisha dhe vetë Meta.
Xhiroja e takimeve të ambasadorit duket se do të mbyllej vetëm në mbrëmje. Makina e tij është parë të hyjë në godinën e Kryeministrise të martën në orët e vona, në një takim të tretë, këtë radhë me kryeministrin Berisha. Makina është larguar pas rreth 90 minutash, nga një takim që nuk dihet nëse ka prodhuar një rezultat konkret. Gjithësesi, këto negociata duket se nuk kanë prodhuar një zgjidhje konkrete, por siç mësohet, palët tashmë e kanë të qartë që nëse kërkohet një zgjidhje konsensuale, ato duhet të tërhiqen nga pozicionet aktuale.
Mazhoranca këmbëngul në kandidaturën e Xhezair Zaganjorit, ndërsa opozita në tërheqjen e tij prej mazhorancës. Në këtë rast, opozita do të ishte e gatshme të jepte konsensus për një emër tjetër mes propozimeve të mazhorancës. Skenari tjetër, këmbëngulja e shumicës për të vijuar edhe në raundin e tretë do të sillte me shumë gjasa votimin e zotit Zaganjori në raundin e katërt.
Në këtë rast, zgjedhja e tij do të ishte kushtetuese, do të pranohej nga ndërkombëtarët, po prej tyre proçesi nuk do të quhej konsensual. Dhe rrjedhojat e tjera, me shumë gjasa, sipas nderkombëtarëve, do të shiheshin në vjeshtë, me rrezikun për mosmarrjen sërish të statusit të vendit kandidat. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 June 2012 22:17