Prishtinë – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka marrë asnjë ftesë për të qenë pjesë e ndonjë ekipi që do të bisedonte për veriun e Kosovës, por edhe sikur të kishte ftesë, përgjigjja do të ishte negative. Kështu deklaroi nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi,sipas të cilit AAK-ja nuk pranon të jetë pjesë e çfarëdo ekipi qeveritar për të biseduar për veriun.
“Jo, sepse i kemi kryer punët me ekipe në të kaluarën, tani Kosova duhet të funksionojë si shtet dhe kjo qeveri e cila nuk ka investuar deri tash gjë që nuk po e bën edhe më tutje, mendojmë se duhet të shkojë nga skena e qeverisjes”, tha ai
Isufi theksoi se Kosova ka nevojë për një qeveri tjetër që siguron jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe garanton liri të lëvizjes në gjithë territorin e vendit. Këto komente, nënkryetari i AAK-së i bëri në konferencën për media, në të cilën u bë publik kalimi i një pjese të kryesisë së degës së AKR-së në Kaçanik. Kryetari i deritashëm i degës së AKR-së, Naser Troni tha se në AAK ka kaluar pasi që këtë parti e vlerëson serioze dhe të organizuar mirë, ndërsa dha arsyet pse është larguar nga AKR-ja.
“Subjektin politik të cilin e kam lëshuar ka qenë për motive të organizimit të dobët dhe ka qenë më shumë një aventurë politike e disa njerëzve në atë subjekt”.
Kalimi i një pjese të kryesisë së degës së AKR-së në AAK, vjen pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Kaçanikut. Drejtuesit e AAK-së thonë se me këtë po tregohet se AAK-ja në Kaçanik, po fuqizohet dhe do të ketë rezultate të mira në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 17 qershor. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 June 2012 13:58