Lajme Shqip Monday, 04 June 2012 14:51

Tiranë – Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së Kryeministri Berisha deklaroi se konsultimet për zgjedhjen e presidentit janë të pandërprera qoftë mes aleatëve por dhe me opozitën dhe në këtë kuadër u zhvillua dhe takimi i djeshëm në kryesi.

Kryeministri vlerësoi se procesi kërkon “seriozitet transparencë dhe kushtetueshmëri dhe në këtë kuadër kishte propozuar dhe kandidaturën e Zaganjorit si kandidaturë jo partiake me karrierë të gjatë dhe të merituar”.

“Nuk mund të ftosh opozitën duke i propozuar kandidaturë të fushës e bekgroundin politik, nëse flasim për konsensus. Procesi kërkon seriozitet e transparencë. Takimi ishte një përpjekje, nuk mund ta mohoj, për të gjetur një ujdi. Palët shprehën qartë qëndrimet. Kandidati i përzgjedhur meriton mbështetjen tonë të plotë.“- tha Berisha. 

Duke shpresuar për gjetjen e një kompromisi dhe votimin e presidentit në raundin e tretë Berisha ftoi opozitën të shqyrtonte kandidaturën e Zaganjorit por njëkohësisht u shpreh i gatshëm të shqyrtojë dhe kandidaturat e opozitës, nëse ajo do të ofrojë.

“Po vjen raundi i tretë uroj që të votojmë së bashku kandidaturën më të mirë. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të përpiqemi për mirëkuptimin më të gjerë të mundshëm. Shpreh mbështetjen më të plotë dhe ftoj opozitën të shqyrtojë kandidatin dhe të paraqesë kandidatin e vet. Të angazhohemi në një proces konsultimesh civile të përgjejgshme në interes të procesit dhe të vendit “ (lajmeShqip.com)