Lajme Shqip Monday, 04 June 2012 12:29

Mitrovicë – Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës, kanë përshëndetur largimin e barrikadës në afërsi të Rudarit nga ana e KFOR-it dhe kanë kërkuar që të vazhdohet me largimin e barrikadave të tjera. Kjo u shtrua të hënën në takimin e Komitetit për Siguri që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ku qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
 
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se KFOR-i ka bërë një punë të mirë që duhet të vazhdoj. “Barrikadat e vendosura në rrugët e veriut e kanë vështirësuar së tepërmi jetën e qytetarëve atje. Ato janë të papranueshme andaj strukturat e sigurisë nuk duhet të hezitojnë që t’i largojnë ato dhe të krijojnë kushte për liri të lëvizjes”.
 
Ai theksoi se duhet të largohet edhe barrikada në urën e Ibrit, e cila është duke krijuar një imazh të keq dhe të frikshëm. “Barrikada në urën e Ibrit duhet të largohet, meqë është një imazh që ushqen ekstremistët serbë, të cilët duan që situata të jetë sa më kaotike”.
 
Nënkryetari Haziri, ka dënuar sulmin e ekstremistëve serbë kundër KFOR-it, me ç’rast kanë mbetur të plagosur dy ushtarë. Tha se njerëzit që kanë shtënë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it janë njerëz të MUP-it dhe kjo dëshmon se të gjitha incidentet atje dirigjohen nga Beogradi.
 
Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se ditëve të fundit e sidomos ditën  që është realizuar aksioni i KFOR-it për largimin e barrikadës në Rudare, ekstremistët serbë kanë qenë shumë  të ashpër edhe me qytetarët serbë që nuk kanë dashur të dalin në rrugë. Tha se ata i kanë rrahur edhe një numër të studentëve serbë që i kanë kundërshtuar urdhrat e tyre.
 
Nexhip  Gashi nga Drejtoria rajonale  e policisë, tha se situata është e qetë. Ai theksoi se në lagjet shumetnike në veri është rritur prania e policisë. (LajmeShqip.com)