Lajme Shqip Sunday, 03 June 2012 10:15

Në këtë periudhë krize që po kalojmë, të gjithë duhet të mendojmë në mënyrë pozitive, nxitëse, duke zbatuar atë që është më e mira për ne, ndërkohë që presim zhvillimet dhe mundësitë e ardhshme. Por ç’kuptim kanë fjalët “të mendosh pozitivisht”?

Disa njerëz e kanë më të lehtë se të tjerët që t’i përballojnë vështirësitë dhe krizat e jetës, duke reaguar ndaj dështimit dhe duke shprehur forma të tjera pakënaqësie e mërzitjeje. A mund të zhvillohet një personalitet pozitiv, duke mos shprehur emocionet, mendimet, gjestet, veprat e tij një individ?

Studimet rreth mendimit pozitiv, të nxitura përpara fillimisht nga Seligman dhe Csikszentmihalyi (2000) tregojnë se optimizmi, si faktor i veprimit të drejtpërdrejtë të një qëllimi, mësohet gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, ashtu sikurse stili mendor i pesimistit (ka tendencë që ta përfshijë çdo ngjarje apo takim në kuadër negativ) mund të shoqërohet, në disa raste, me një lloj “pafuqie të përgjithshme” që çon në paralizimin e mendimeve dhe veprimeve.

Lidhur me zhvillimin e një personaliteti pozitiv, kohët e fundit është studiuar roli që luan fakti i të qenit i vëmendshëm, i vendosur mes kufirit njohës dhe motivues. Disa persona janë të prirur të fiksohen te situatat e këndshme që i kanë ndodhur atij ose të tjerëve, duke i kujtuar me shumë dëshirë, duke i marrë në konsideratë kur bëjnë një zgjedhje apo kur shprehin një mendim (për veten ose të tjerët); ndërkohë që disa të tjerë janë të lidhur ngushtë me kujtimet e hidhura, duke u kushtuar shumë rëndësi madje, duke i kujtuar dhe duke u stresuar (që mund t’u kenë ndodhur atyre personalisht ose të afërmve).

Le të provojmë të bëjmë një ushtrim. Mendoni për diçka të bukur që kemi përjetuar së fundmi dhe më pas bëjini vetes këto pyetje: “Si kanë qenë mendimet e mia në atë moment? Cili ishte qëndrimi im?”. Tani mendoni për një ngjarje të trishtuar që kemi përjetuar dhe bëni sërish të njëjtat pyetje. Nuk do mend që gjendja juaj shpirtërore ndryshon, duke u zhytur në një situatë negative, duke nxitur mendime të tjera të këqija, në mënyrë pothuajse automatike dhe duke shkaktuar një gjendje që nuk të shpie askund, veçse ju zhyt edhe më thellë në stres dhe melankoli.

Për të larguar energjinë negative që ju rrethon mund të ankoheni ose të fajësoni të tjerët; ose të zgjidhni mendime të bukura dhe një plan veprimi që ju ndryshojnë për mirë cilësinë e jetës (e ndoshta edhe atë të të tjerëve). Nëse ia arrini qëllimit, atëherë bëhet fjalë për diçka që ka lidhje me sistemin tuaj të mendimeve dhe se mund të ndryshohet (nëse vendosni për ta motivuar veten, bëjeni!) përmes një lloj trajnimi.

Në psikologji, studimi i mirëqenies subjektive i ka dhënë jetë lëvizjes së gjerë dhe të larmishme të “Psikologjisë Pozitive”, aktivitetet e së cilës janë zhvilluar duke ndjekur dy rrugë kryesore. E para (hedonike) përfshin kryesisht studime për të analizuar përmasat e kënaqësisë, siç është mirëqenia personale në lidhje me ndjenjat dhe emocionet pozitive.

E dyta (eudaimonia) analizon ata faktorë që favorizojnë zhvillimin dhe realizimin e fuqive individuale në përputhje me konceptin e Aristotelit për eudaimoninë. Perspektiva eudaimonike ka të bëjë jo vetëm me kënaqësinë individuale, por edhe me rrugën e integrimit me botën përreth, duke sjellë në vëmendjen e dijetarëve lidhjen mes mirëqenies së individit dhe zhvillimit të komunitetit. Lumturia (ose hidhërimi) i individit realizohet në mënyrë të pashmangshme në hapësirën shoqërore. Jemi të gjithë të ndërlidhur, në të mirë dhe në të keq!