Lajme Shqip Sunday, 03 June 2012 08:12

Prishtinë – Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka prezantuar në Bruksel një strategji me të cilën ka kërkuar largimin e plotë të misionit të EULEX deri në fund të vitit 2015.
Kurse Ministri Bajram Rexhepi thotë se kjo duhet të ndodhë edhe më shpejt.

Por, zyrtarë të EULEX-it deklarojnë se largimi i plotë i tyre varet nga progresi që do të bëjë ekzekutivi kosovar.  Pikërisht në kohën kur po diskutohet përmbyllja e Zyrës së ICO-s, e cila ka mbikëqyrur përmbushjen e Pakos së Ahtisaarit, Qeveria e Kosovës po ia shkruan fundin edhe EULEX-it.

Propozimin për largimin e Misionit për Sundimin e Ligjit e ka bëri të ditur para europianëve, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke kërkuar që ky mision të përmbyllë mandatin efektivisht në fund të vitit 2015. Këtë kërkesë, Kuçi e ka bërë të mërkurën në Bruksel, ku ka shpalosur një strategji dhe fazat që çojnë në përmbylljen dhe largimin e këtij misioni nga Kosova.

Kjo ka ndodhur po ashtu në kohën kur Brukseli ka vendosur ta ristrukturojë EULEX-in, siç thonë zyrtarët evropianë, me qëllim të funksionimit më të mirë. “Në fakt institucionet e vendit konsiderojnë se EULEX-i nuk është i nevojshëm këtu, më shumë se deri në vitin 2014, por qëndrimi i tyre është së ky mision mund të vazhdojë punën për çështjen e krimeve të luftës dhe për veriun deri në fund të vitit 2015”, deklaroi Kuçi në Bruksel ku theksoi se pas kësaj periudhe, kosovarët e duan vendin e tyre pa EULEX. (LajmeShqip.com)