Tiranë – Banka e Shqipërisë bëri të ditur se ka miratuar rregulloren për krijimin e bankës urë, e cila synon të parandalojë çdo infektim të mundshëm të sistemit tonë bankar nga kriza greke dhe jo vetëm.
Banka e Shqipërisë ka vendosur të ngrejë bankën urë për të shërbyer si mjet shpëtimi për bankat me probleme në vend, pra për ato banka që do të përballen me situata të vështira likuiditeti ose mungesë të aftësisë paguese.
Kjo bankë do të vijë në ndihmë edhe për ato banka që nuk realizojnë në vazhdimësi një përmirësim në burimet e tyre financiare. Banka urë, si shoqeri aksionere, duhet të plotësojë disa kritere për të vepruar në sistemin bankar. Sipas rregullores së BSH, banka urë duhet të ketë një kapital të nevojshëm dhe kosto të tjera.
Për të vepruar si bankë urë nuk duhet të tejkalojë shumën e kostove që parashikohen në rastet e vendosjes së bankës në kujdestari. Gjithashtu, duhet të garantojë vazhdimin e veprimatrive të bankës me probleme.
Banka e Shpëtimit, brenda 40 ditëve pas liçencimit të saj, kryen inventarizimin për të identifikuar dhe vlerësuar realisht aktivet e transferuara nga banka me probleme.
Rregullore dhe vendimi të kësaj natyre po merren nga ana e Bankës së Shqipërisë me qëllim që të mbrojë sistemin bankar në Shqipëri në kuadër të përhapjes së një krize të gjerë në eurozonë. Këto masa priren të japin më tepër garanci dhe siguri tek klientët e bankave. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 June 2012 21:33