Tiranë (PLOTESUAR 14:00)- Deputetët socialistë kanë marrë pa përjashtim ditën e djeshme nga një “sms” në emër të kryetarit socialist Edi Rama. Jo në mënyrë direkte nga kryetari socialist Edi Rama, por mesazhi përmes celularit, i njejtë për të gjithë deputetët, ka mbërritur në celularët e ligjvënësve socialistë i dërguar nga kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve parlamentare të Kuvendit, që janë përfaqësues të PS. 
“Të nderuar kolegë, me porosi të kryetarit do t’iu lutesha që deri nesër në mesditë (sot) të mendoni një ose disa kandidatura për president. Mund të kontaktoni me mua apo direkt me kryetarin për emrin konfidencial.Flm”. Ka qënë mesazhi i dërguar për secilin deputet, të ndarë sipas komisioneve në Kuvend. Mesazhi ka ardhur pas një takimi të shkurtër ditën e djeshme të kreut të PS Rama me drejtuesit e komisioneve parlamentare, përfaqësues socialistë.
Mesazhi ka qënë i qartë, deri sot në mesditë secili deputet socialist duhet të kishte menduar një emër që mendonte se mund të jetë në garë për postin e presidentit të ri dhe që mund të fitojë mbështetjen e palës tjetër, asaj të mazhorancës për të qënë një president konsensual që do zgjidhte njëherësh dhe krizën politike në Shqipëri, që tashmë po troket në prag.
Pjesa më e madhe e deputetëve kane konfirmuar se u ka ardhur një mesazh i tillë dhe se ishin duke menduar për emrin e një kandidati që do ti dërgonin Ramës deri sot në mesditë. Ndërkohë që ata kane pohuar jashtë deklarimit me emër se janë vendosur në një pozitë shumë të sikletshme, pasi është një praktikë që s’ka ndodhur më parë e se e kanë të vështirë t’i vënë gishtin një kandidati që të plotësojë të gjitha kriteret por që dhe të mendohet se është i pranueshëm nga pala tjetër.
Një pjesë e tyre mund të propozojnë kandidatë politikë, dhe në këtë listë pritet të mos jetë surprizë emri i Fatos Nanos ish-liderit socialist që ka vetëshpallur kandidaturën për postin e Presidentit të ri të Republikës dhe që ka realizuar një sërë takimesh me kreun socialist Rama, kreun e qeverisë Berisha dhe të gjithë krerët e partive parlamentare në vend. Por mund të jetë dhe emri i ish-kryeministrit Pandeli Majko si një ndër figurat më potente në PS, një ish-kryeministër i suksesshëm, i cili sipas vlerësimit të disa deputetëve mund të jetë një president i gjithë shqiptarëve, për shkak të rolit që ka luajtur kur ishte kryeministër në luftën e Kosovës e ku shqiptarët e atjeshëm e shohin atë si njeriun më me kontribute për pavarësinë e Kosovës. (Sh.C)
******************************************
Tiranë -Takimi mes kryetarit socialist Edi Rama dhe kryeministrit Sali Berisha pritet të zhvillohet nesër në orë 20:30 të mbrëmjes. 
Burimet konfirmojnë se një takim i tillë i përgatitur me shumë kujdes nga ana e kreut të LSI Ilir Meta ka dalë tej hamendjeve të mediave, të cilat kishin raportuar se do të zhvillohej ditën e djeshme. Mësohet se takimi do të zhvillohet ashtu siç e kanë kërkuar të dyja palët në mënyrë institucionale në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku mendohet se do të debatohet dhe do të vijojë pëprjekja për arritjen e konsensusit të madh për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Në takim pritet të marrin pjesë dhe krerët e grupeve parlamnetare respektive, Atrit Patozi për PD dhe Gramoz Ruçi për PS-në, si dhe dy deputetët e mandatuar për secilën parti, Spaho dhe Tahiri. Ende nuk është bërë e ditur nëse do të jetë në këtë takim me statusin e negociatorit kreu i LSI, por bëhet e ditur se gjasat janë që ai të qëndrojë jashtë kësaj tavoline. Kështu, me sa duket këmbëngulja e fortë e liderit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka dhënë frytet e veta, teksa është bërë “kumbar” i një takimi të tillë mes dy liderëve më të fortë të politikës shqiptarë, takim i cili është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga lideri i opozitës Rama, por që është refuzuar po në mënyrë po të vazhdueshme nga kreu i mazhorancës Berisha.
Tashmë që mazhoranca e ka kandidatin e saj për president të Republikës, pikërisht anëtarin e Gjykatës Kushtetueser Xhezair Zaganjori, i cili për hir të së vërtetës i ka filluar takimet njohëse me liderët e e lartë të politikës, dhe kreu socialist Edi Rama tashmë është impenjuar maksimalisht për të qënë i përgatitur për takimin e ditës së nesërme me kryeministrin Berisha, në mënyrë që të ketë dhe ai kandidaturat e opozitës për t’i diskutuar në tavolinë dhe për të tentuar të marrë konsensusin dhe të mazhorancës qeverisëse dhe më konkretisht kreut të qeverisë, Sali Berisha.
Kështu, ai ka kërkuar një deputetët socialistë që të dërgojnë nga një emër për kandidat për president deri në mesditën e sotme dhe pritet që pasdite vonë të mbledhë dhe grupin parlamnetar dhe kryesinë e socialistëve për të vendosur “korrektimin” e listës së kandidatëve të propozuar dhe për të dalë me disa kandidatë serioze që do të hidhen në takimin me Berishën që zhvillohet nesër.(LajmeShqip.com)
Saturday, 02 June 2012 11:51