Lajme Shqip Thursday, 31 May 2012 12:52

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim , Ilir Meta, tha sot, gjatë mbledhjes së LGI-së, se “një takim midis Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, do të ndihmonte për përshpejtimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri”.

“Ky proces, i nisur me vonesë, ka defektet e tij dhe nuk mund të jetë perfekt. Prej kohësh unë kam kërkuar që të zhvillohen takime të niveleve më të larta, madje kam apeluar edhe për një takim midis kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së, Rama, në mënyrë që paragjykimet që burojnë edhe nga distanca, të shkrihen dhe të ecet drejt asaj që kërkohet nga të gjithë shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë, një zgjedhje dinjitoze e Presidentit të ri dhe njëkohësisht një përmbyllje e atyre reformave, që me të drejtë i ka nënvizuar edhe PS kohët e fundit, sikurse është reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe heqja e imunitetit, pasi edhe këto janë hapa të rëndësishëm, të cilat pershpejtojnë marrjen e statusit të vendit kandidat”, theksoi Meta.

Sipas tij, nuk kemi pse të humbasim ditë edhe jave në një situatë pritjeje sepse çdo minutë edhe çdo ditë është e çmuar për të ecur para. “Duke patur në konsideratë zhvillimet më të fundit politike në vend dhe faktin që vëmendja kryesore është përqendruar tek zgjedhja e Presidentit te ri dua të theksoj angazhimin tonë për një zgjidhje konsensuale, e cila nuk merr thjesht një president, por e cila ndërton një konsesus që vazhdon edhe në të ardhmen përmes Presidentit të ri për të ndihmuar reformat, për të cilat është aq i nevojshëm bashkëpunimi bipartizan në parlament dhe në të gjithë jetën politike në përgjithësi”, tha Meta.

“Eshtë për të ardhur keq, vijoi ai, kur dëgjojmë paragjykime të pamenduara mirë, të cilat në vend t’i shërbejnë këtij procesi ku tashmë kemi hyrë, procesit për ndërtimin e një konsensusi, përkundrazi ndihmojmë për të krijuar mure të panevojshme”. Kryetari i LSI-së, Meta, tha se “është e domosdoshme të ecet në këtë rrugë, është shumë e rëndësishme të hiqet psikologjia e refuzimit apo e bllokimit, thjesht për hir të propozimit që vjen nga një krah tjetër politik , duhet të ecim drejt një figure, e cila paraqet vlera tepër të konsoliduara dhe do t’i shërbente funksionimit më efikas të institucionit të presidentit, sidomos në fushën e reformave te drejtësisë. Unë shpresoj se duke u çliruar të gjithë nga paragjykimet i kemi të gjitha mundësitë për të ecur në rrugën e duhur dhe për të kurorëzuar me sukses raundin e dytë”. (LajmeShqip.com)