Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 11:46

Bruksel(PLOTESUAR 21:30) Komisionieri Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle u bën apel palëve të zgjedhin kreun e ri të shtetit në frymën e konsultimeve mes palëve, me qëllim që të arrijnë integrimin në BE.

“Jam duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri e veçanërisht proçesin për zgjedhjen e presidentit. Jam i ndërgjegjshëm për rëndësinë e afatit të 24 majit dhe gjithashtu atë që ç’ndodhi dhe ç’nuk ndodhi në 30 maj. E mbaj mend shumë mirë se ç’farë kam thënë gjatë vizitës time në Tiranë. Nëse nuk kishte marrëveshje përfundimtare për reformën zgjedhore dhe parlamentare në 24 maj, atëherë marrëveshja e nëntorit mund të kthehej në pjesë të problemit dhe jo të zgjidhjes. I takon forcave politike shqiptare, mazhorancës dhe opozitës të parandalojnë që kjo çështje të mos bëhet pjesë e problemit dhe që ta zgjidhin çështjen e presidentit në frymën e konsultimeve”, vuri në dukje Fyle.

Fyle bëri me dije se së shpejti Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit, Sefano Sanino do të vizitojë Tiranën, ‘në mënyrë që të shohë nëse ne mund të bëjmë diçka për të arritur këtë kilometër të fundit për zbatimin e marrëveshjes së nëntorit, që përpjekjet të mos digjen dhe të gjendet një zgjidhje’. Komisioneri për zgjerimin gjithashtu shprehu gadishmërinë e tij për të kontribuar në mbarëvajtjen e reformave.(LajmeShqip.com)

************************************

Tiranë (PLOTESUAR 13:30)- Kuvendi do të vendosë në seancën plenare të ditës së enjte nëse raundi i dytë i votimit për presidentin e ri do të zhvillohet më datën 4 apo 5 qershor.
Kuvendi, në një njoftim zyrtar për mbledhjen e sotme të konferencës së Kryetarëve sqaron se për mungesë konsensusi, zgjedhja e njërës prej këtyre alternativave duhet të bëhet sipas rregullores në seancën e nesërme parlamentare.

“Në konferencë u morën në shqyrtim të gjitha opsionet e mundshme që lejon rregullorja dhe në përfundim shumica e anëtarëve të saj mbështetën propozimin që raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Shqipërisë të zhvillohet ditën e hënë, më datë 4 qershor’, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Por, vijon njoftimi, anëtarët që i përkasin grupi politik të PS-së nuk dhanë  konsensus për këtë datë pasi kërkuan zhvillimin e seancës ditën e martë, më 5 qershor.

Në këto kushte, Konferenca gjykoi që  (për mungesë konsensusi), zgjedhja e njërës prej këtyre alternativave duhet të bëhet sipas rregullores në seancën e nesërme parlamentare.
Ndërkohë, sot paradite Kuvendi konsumoi raundin e parë pa votim, pasi në konkurimin për garën presidenciale nuk u paraqit anjë kandidat zyrtar. Më herët maxhoranca propozoi kandidaturën e gjyqtarit Xhezair Zaganjori për postin e Kreut të shtetit, por pa e depozituar zyrtarisht në komisionin e Ligjeve, ndërkohë që opozita u shpreh kundër saj. (LajmeShqip.com)

**************************************

Tiranë – Kuvendi ka mbylluar pa asnjë votim dhe kandidat zyrtar, raundin e parë të votimit për garën presidenciale. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mbledh konferencën e kryetarëve për të vendosur për raundin e dytë. Berisha: Xhezair Zaganjori përfaqësimi ynë më i mirë.

Ambasadori Aleksandër Arvizu, Ambasadorja Franceze nuk dhanë asnjë prononcim për shtyp pasi dolën nga seanca në Kuvend, ndërsa Sequi shkurt tha se “Është një proces i rëndësishëm dhe do të doja të kufizoja komentet”. Ndërkohë mësohet se ambasadori amerikan Arvizu pritet të takohet me kreun e PS, Edi Rama në selinë e kësaj partie.

Kreu i LSI, Ilir Meta ka deklaruar në Kuvend se propozimi imazhorancës, ende jo zyrtar për Xhezair Zaganjorin është përpjekja për të vendosur një standard në politikë.

“Si rrallë si ndonjë kandidat tjetër, emri ynë konkret gërsheton përvojën diplomatike, me atë të gjyësorit dhe përvojën akademike duke dhënë mesazhin e qartë se politika ka aftësinë të shohë edhe përtëj vetes”, tha Topalli.

Në vijim të fjalës së tij, kryeministri Sali Berisha u shpreh lidhur me kandidaturën e Xhezair Zaganjorit për president se “Opozita, që të tregohemi dhe të jemi të hapur të nderuar qytetarë, nuk ka asnjë detyrim që të mbështesë kandidatët që paraqet qeveria, kjo është normale. Qeveria për t’a respektuar opozitën dhe për të t’i bërë të mundur asaj dhe ta votojë, duhet ta heq dorë nga disa kandidatura që vështirësojnë votimin nga opozita. Ne u vetëkufizuam, nuk sollëm politikan por një kandidat i cili në 20 vite, i ka shërbyer vendit dhe kombit të tij me paanësi të plotë”

Pas fjalimit te gjate te kryeministrit, duke uruar qe raundin e ardhshem ne parlament forcat politike te vijne me kandidaturen per president, kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli mbylli seancane  e sotme. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pasi vlerësoi kandidaturën e Xhezair Zaganjorit, tha se votimi quhet i krye. Topalli ka ftuar menjëherë konferencën e Kryetarëve për të vendosur datën për zhvillimin e raundit të dytë për votimin e Presidentit të Republikës. (LajmeShqip.com)