Tiranë – Trojka e ambasdorëve, ai i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, zv. ambasadori i OSBE-së Dan Redford dhe ai i BE-së, Etore Sequi nisën sot rreth mesditës një takim me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, i cili zgjati për rreth 1 orë.
Biseda e tyre u fokusua tek cështja e zgjidhjes së Presidentit, për emrin e të cilit duket se palët nuk kanë gjetur ende konsensus, një ditë para se të nisë raundi i parë i votimit. Takimi me Ramën vjen pak para se ai të mbledhë grupin parlamentar të PS, me të cilin do diskutojnë pikërisht për këtë cështje. Po sot, mësohet se ambasadori Arvizu është takuar për rreth 1 orë në ambientet e kryeministrisë me kreun e qeverisë, Berisha.
-Pas përfundimit të takimit me Ramën, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu është shprehur se zgjidhja e presidentit është një proces me rëndësi për të dyja palët. “Gjëja më e rëndësishme është dialogu që ndërmerret mes palëve, për shkak të zhvillimeve, palët kanë interes të përbashkët për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja e presidentit është e rëndësishme edhe për drejtimin e vendit”, tha ai
-Kreu i PS-së Edi Rama në fjalimin e tij përpara deputetëve socialistë me raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit fajësoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha për notat negative të këtij raporti. “Berisha është arsyeja pse Shqipëria merr në raport të hidhur notë jo kaluese për korrupsionin, shantazhet dhe dhunës mafioze ndaj gazetarëvë, sidomos gjatë pas protestës së 21 janarit”
Nisur nga gjendja aktuale, Rama apeloi për thirrjen e tryezës së partive parlamentare, në të cilën duhet të miratohen 4 pikat: Reforma zgjedhore, reforma parlamentare, heqja e imunitetit dhe zgjedhja e presidentit me konsensus.
“Sigurova trojkën se PS nuk do rreshtë përpjekjet për të hapur rrugët e arsyetimit me të gjitha palët edhe PD për të gjetur zgjidhje për sejcilën prej 4 pikave. Tryeza e dialogut të bëhet një orë e më parë. Nuk themi të bëhen të gjitha menjëherë, as edhe të bëhet gjithcka themi ne. Por, të bëhet gjithcka pa truke dhe imponime. Raundi i parë digjet pa kandidat dhe procesi hyn në një krizë. Dua të shpresoj që të ketë vullnet të mirë nga të gjitha palët që të mos lejojmë krizën”, tha Rama sot përpara deputetëve.
Kryesocialisti ka argumentuar se PS, në 100 vjetorin e Pavarësisë nuk do që Shqipëria të bëhet gazi më i madh i botës, për të mos dështuar 3 herë në kandidaturën për statusin. “4 pikat tona nuk kanë lidhje me ultimatumet që Berisha i përdor kur kërkon t’i ikë përgjegjësive të veta.
1. Berisha tha se PS do të imponojë numërimin elektronik. E pavërtetë, jemi gati të negociojmë zgjidhjen më të arsyeshme bazuar në propozimin e vetë ODIHR. S’ka hendek mes propozimit tonë dhe qëndrimit të Berishës, por ai e përdor si alibi.
2. Dy anëtarët në KQZ: Kemi kërkuar riformulimin e nenit famëkeq të transparencës së materialeve zgjedhore. Kjo nuk duhet të përsëritet më kurre.
3. Përbërja e Komisionit – KQZ është e damkosur në raportin e DASH. Berisha si mund të pranojë një reformë zgjedhore që nuk garanton largimin e Ristanit dhe anëtarëve dhe zgjedhjen e kryetarit të ri me konsensus.
4. Presidenti – Raundi i parë digjet pa kandidat dhe procesi hyn në një krizë. Por, zgjedhja e krizës do të kërkojë domosdoshmërisht që palët të ulen për të realizuar 4 kushtet që kërkon integrimi”, argumentoi Rama. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 15:01