Lajme Shqip Monday, 28 May 2012 16:15

Udhëheqësi më i lartë ushtarak i grupit separatist bask “ETA” u arrestua në Francë së bashku me një bashkëpunëtorin e tij, informuan të hënën burimet zyrtare.

Sipas asaj që raporton agjensia “EFE”, Oroitz Gurruchaga Gogorza dhe Xabier Aramburu, i vlerësuar si krahu i tij i djathtë, u vendosën në pranga ndërsa ndodheshin në qytetin e Kaunës, në Francën jugperëndimore.

Kapja e tyre u bë e mundur nëpërmjet një operacioni të përbashkët franko-spanjoll.

ETA është fajtore për vrasjen e qindra personave nëpër dekada, por në vitet e fundit fuqia e saj është zbehur ndjeshëm.

Në tetor 2011, grupi lajmëroi ndërprerjen përfundimtare të veprimtarisë së tij të armatosur, por nuk ka dorëzuar armët dhe nuk ka shpallur shpërndarjen e tij.

”ETA” është një organizatë që lufton që prej vitit 1960 për pavarësinë e krahinës baske, nga Spanja dhe Franca. Ajo konsiderohet si një grupim terrorist në Spanjë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.