Lajme Shqip Monday, 28 May 2012 16:22

Prishtinë – Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, mblodhi sot në një takim koordinues delegacionin e Kosovës, i cili më 30 maj do të jetë në Bruksel, ku do të fillojë “Dialogu i strukturuar për sundim të ligjit në Kosovë”, ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian.

Në dialogun e strukturuar për sundim të ligjit do të shqyrtohen tema të ndryshme rreth sundimit të ligjit, të njohura si temat e kapitujve 23 dhe 24 të negociatave të procesit të zgjerimit të BE-së, ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit.

Në kuadër të këtij takimi njëkohësisht planifikohet të diskutohet çështja e transformimit dhe ristrukturimit të EULEX-it. Takimi organizohet nga Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule, ndërsa në të do jenë gjithashtu prezentë edhe Komisionerja për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom dhe përfaqësues të tjerët të drejtorive të përgjithshme.

Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ndërsa në takim do të marrin pjesë ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi dhe ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku. (LajmeShqip.com)