Ferizaj – Janë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet në raundin e dytë për kryetar të Ferizajt, të cilat do të mbahen nesër. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë planin operacional, policia rajonale e Ferizajt ka bërë përgatitjet që të jetë në secilën qendër të votimit, ndërsa monitoruesit e zgjedhjeve janë mobilizuar që ta përcjellin mbarëvajtjen e procesit.
Mbi 95 mijë qytetarë, me të drejtë vote në komunën e Ferizajt, do të kenë mundësi nesër që të votojnë për kryetarin e tyre. Institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve kanë bërë të gjitha përgatitjet për një proces të rregullt.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë planin për ditën e zgjedhjeve, ndërkohë ka nisur shpërndarja e materialit josensitiv nëpër vendvotime.
Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Sekretariatit të KQZ-së, Miradije Mavriç ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këto zgjedhje. “Sekretariati e ka përgatitur materialin. Materiali sensitiv sot ka arritur në Ferizaj në depon kryesore të komunës, tek zyrtari ynë komunal në orën 8 e 38 minuta, ndërsa materiale josensitiv nëpër qendrat e votimi ka filluar të shpërndahet”, tha Mavriç.
Sipas saj janë gjithsej 128 vendvotime, duke përfshirë edhe 4 vendvotime mobile dhe gjithsej 95 mijë e 449 qytetarë me të drejtë vote.(LajmeShqip.com)
Saturday, 26 May 2012 18:40