Lajme Shqip Saturday, 26 May 2012 12:38

Tiranë – Konventa kombëtare zgjedhore e LSI-së ka nisur sot me një minutë heshtje për nder të viktimave të aksidentit tragjik në Himarë. Kreu i LSI-së Ilir Meta mbajti një fjalë të gjatë ku përmendi dhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Sipas Metës, presidenti i ri duhet të zgjidhet në favor të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. 

Kryetari i LSI tha se, Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur për t`u anëtarësuar në Bashkimin Europian, ndërsa ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha forcave politike për të përmbyllur me sukses këtë proces mjaft të rëndësishëm për vendin.

“Duhet bashkëpunim dhe marrëveshje për të arritur realizimin e reformave. Duhet bashkëpunim dhe transparencë për zgjedhjen e presidentit, të zgjedhim një President në favor të integrimit. Bashkëpunimi mes forcave politike është i domosdoshëm për Shqipërinë. Mosbashkëpunimi politik e dëmton shumë vendin dhe popullin tonë” theksoi Meta. 

Sipas Metes sot me shume se kurre nevojitet mirëkuptim për reformën zgjedhore dhe parlamentare, për cështjen e imunitetit dhe zgjedhjen e një presidenti që t’i kontribuojë integrimit evropian të vendit. “Ngritja mbi të kaluarën është kërkesë imediate e politikanëve kudo, edhe për ne politikanët në Shqipëri, një vend tërësisht evropian, që kërkon me një shumicë dërrmuese 95% bashkimin dhe anëtarësimin në BE. Askush nuk duhet t’i kundërvihet kësaj kërkese që nuk njeh përkatësi partiake, ndaj LSI qëndron e qartë dhe e vendosur për t’i kontribuar këtij procesi që është historik, por edhe tepër njerëzor, ku duhet të triumfojë toleranca dhe jo arroganca, e nesërmja dhe jo e djeshmja, se presim një të nesërme më të mirë”- tha Meta.

Rreth 1800 delegatë të LSI-së nga i gjithë vendi do të votojnë sot për të zgjedhur kryetaren e re të Lëvizjes së Gruas për Integrim, ku kandidojnë Luzhiana Abazaj dhe Klajda Gjosha. (B.W)