Tiranë (PLOTESUAR 21:20) – Presidenti Bamir Topi deklaroi sot në mbrëmje se, është në interesin e të gjithëve që Presidenti i ardhshëm të votohet me më shumë se 71 vota. I ftuar në një emision televiziv, Topi vlerësoi se nga pikëpamja formale gjithçka po konsumohet sipas rregullave në këtë proces.
“Dje është mbledhur konferenca e kryetarëve, gjithçka ka qenë brenda afateve kushtetuese, ndaj jam i prirur të besoj se ky proces do të ecë në rrugë normale. Është në interesin e të gjithëve që ky proces të rezultojë në zgjedhjen e një Presidenti që të jetë më shumë se sa i mazhorancës politike”, tha Topi.
Sipas tij “edhe pse Kushtetuta e lejon që Presidenti të zgjidhet vetëm me votat e mazhorancës do të ishte më mirë që të kishim një President që ka një mbështetje të gjerë edhe nga krahu i opozitës”. Edhe pse nuk pranoi të komentojë emra konkretë, Topi tha se do të ishte më mirë që Presidenti i ardhshëm të jetë një figurë politike. (LajmeShqip.com)
**************************************
Tiranë (PLOTESUAR 17:00)- Pas takimkeve me Fatmir Mediun e Shpëtim Idrizin, kryeministri Berisha deklaroi se me aleatët ka rënë dakord që ta zgjedhin presidentin që në raundin e parë, ndërsa u shpreh se për këtë do të duhet edhe vullneti i PS. Ai shtoi se PD do të zhvillojë trakime me PS, për këtë cështje.
“Së bashku me zotin Spahiu e Patozi patëm takime me dy aleatët tanë të tjerë, Partinë Republikane dhe PDIU. Në këto takime spikati një vullnet shumë i qartë për të bërë përpjekjet më madhore si mazhorancë për një proces transparent, serioz, dinjitoz, për të bërë përpjekje që procesi të ketë mbështetjen më të gjërë të mundshme në parlament. Në këtë kontekst zoti Patozi e Spaho do marrin të gjitha masat për tu takuar me përfaqësuesit e PS, zotin Ruci dhe të mandatarit e tjerë zyrtarë në takimet që zhvillohen në selinë e parlamentit. Në rast se mbizotëron vullneti për ti dhënë vendit një president në përputhje me kushtetutën dhe me mbështetje të gjërë, ne jemi të gatshëm ta zgjedhim që në raundin e parë”, tha Berisha. 
Ndërsa i pyetur në lidhje me ftesën që kryesocialisti Rama i ka bërë për një takim në lidhje me këtë cështje, Berisha la të kuptohet se një takim i tillë nuk do të bëhet. Sipas tij, ata kanë zgjidhur edhe cështje më të rëndësishme me autorizime, pa qënë nevoja të takohen.
“Ky do jetë një proces besimi dhe jo ndryshe, takimet do vazhdojnë, nuk është folur për emra sa të përfundojë takimi me palët e tjera. Uroj që të ketë mirëkuptim.
Me zotin Rama pa u takuar fare kemi marrë vendime për reformat më të thella në historinë e vendit, kjo nuk është show, është thelbi ai që ka rëndësi për mua. Kur ne kemi realizuar ndryshimet më të thella kushtetuese, ne nuk bëmë një takim që tu deklaronim gazetarëve që ja cfarë mund të bëjmë ne, ne ua lamë fjalën veprave. Rruga është e shtruar ju e shihni”, shtoi ai.
MEDIU-BERISHA: “Kemi rënë dakord që ne duhet ti japim vendit me procesin e zgjedhjes së Presidentit një proces serioz dhe transparent”, tha sot Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu pas takimit me Kryeministrin Sali Berisha, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike, ku u diskutua për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.
“Kur flas për një proces serioz, ne duhet të përcaktojmë qartësisht kriteret se kush do të jetë presidenti i vendit. Ndërsa një proces transparent duhet të synojë me padyshim një marrëdhënie me të gjithë klasën politike shqiptare të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe me interesin e qytetarëve shqiptarë, që të ketë një president i cili pa dyshim do të vijë si fryt i një marrëdhënie të gjithë jetës politike shqiptare. Por mbi të gjitha dhe të gjithë ne qëndron Kushtetuta, ndaj i gjithë procesi duhet të vijë si rezultat i një gjykimi të përbashkët dhe pastaj të proceseve parlamentare”, tha Mediu.
IDRIZI-BERISHA: Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi tha sot, pas diskutimeve me kryeministrin Sali Berisha për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm, se ” është rënë dakord që të shkojmë drejt një presidenti konsensual, një figure publike dhe politike sa më të pranuar mundësisht që në raundin e parë, pa paragjykuar emra nga asnjë prej palëve politike”.
“Nuk kemi biseduar për emra konkretë, por për një proces ku të gjitha palët angazhohen seriozisht që ti japin shqiptarëve një presidet konsensual mundësisht që në raudin e parë. Janë diskutime që tentojnë në këtë drejtim, sepse ne duhet të shkojmë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, një kërkesë e kahershme e të gjithë shqiptarëve dhe besoj se një president konsensual do t’i vlejë kësaj fryme bashkëpunimi dhe maturimi të klasës politike shqiptare”, tha Idrizi.
“Ne parashtruam pozicionet tona. Padyshim ne duam që të kemi një president që të mbajë qëndrime të forta patriotike dhe kombëtare, ashtu sikurse nëse Presidenti i ardhshëm do të kërkojë votat e PDIU-së duhet të shprehet qartë dhe saktë për çështjen çame”, tha Idrizi. (LajmeShqip.com)
*******************************************
Tiranë(PLOTESUAR 14:15)- “Të kemi një president të mbështetur nga një maxhorancë më e gjerë se sa maxhoranca qeverisëse”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim(LSI), Ilir Meta, pas takimit të premten me kryeministrin Sali Berisha, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, në kryesinë e Kuvendit. 
Pas çeljes zyrtarisht nga Kuvendi të procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, drejtues të LSI-së, forca kryesore aleate në qeverisje e PD-së, u takuan sot me kryeministrin Berisha, në kuadër të konsultimeve. Meta tha se në takimin me kryeministrin Berisha nuk u bisedua për emra konkretë, por për rëndësinë e procesit, që ai të jetë sa më gjithëpërfshirës, por dhe sa më i sinqertë dhe rezultativ. Për ne, vijoi Meta, “nuk është e rëndësishme të paragjykojmë se nga nuk duhet të vijnë emrat, por për ne është e rëndësishme të jetë i sinqertë vullneti për të patur një president të mbështetur nga një maxhorancë më e gjerë se sa maxhoranca qeverisëse. (LajmeShqip.com)
***********************************
Tiranë -Kryeministri, Sali Berisha nisi sot takimet me aleatët për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.
Takimi i parë nisi në orën 13:00 në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Kryeministri Berisha, njëkohësisht kreu i grupit negociator të demokratëve u shoqërua në takim nga dy anëtarët e tjerë të kryesisë, Astrit Patozi dhe Edmond Spaho. Ndërkohë, kreu i LSI-së Ilir Meta u shoqërua nga ministrat Petrit Vasili dhe Edmond Haxhinasto.
Takimi Meta-Berisha ka rezultuar në qëndrime të njëjta. Kështu pohoi vetë Kryeministri Sali Berisha që theksoi se mazhoranca ka vullnet që me raundin e parë të ketë emra kandidatësh. “Ky ishte një takim me përputhshmeri të plotë mendimesh me udhëheqjen politike të LSI që është aleatja kryesore e PD në koalicion. U ra plotësisht dakort që të bëhet cdo përpjekje në mënyrë që Presidenti i Republikës të zgjidhet me konsensusin më të gjerë të mundshëm. U shpreh besimi se kjo është një mundësi reale, u ra dakort që të vazhdojmë takime intensive të vazhdueshme që të bëhet sa më shpejt e mundur me kryetarin e shtetit të merituar. Do bëhet gjithcka. Jua them me qartësinë më të madhe se vullneti i kësaj mazhorance, dhe unë do vazhdoj konsultimet, vullneti është që në raundin e parë të ketë kandidatë seriozë, dinjitozë, kandidatë që mund të nderojnë vendin në detyrën e tij”.
Berisha theksoi se po sot duhet të takojë kreun e PBDNJ, Vangjel Dulen dhe PDIU, Shpëtim Idrizi. “Më vonë do takoj 2 aletatët e mi të tjerë më pas me PS dhe më pas më partitë e të drejtave të njeriut”. Kryeministri i bëri ftesë Ramës të zgjedhë 2 bashkëpunëtorët për të kontaktuar me PD për cështjen e Presidentit. “Me PS takimi do të jetë në parlament. Ftoj z Rama të tregojë besim tek bashkëpunëtorët e tij, të mandatojë 2 bashkëpunotërt e tij në këtë drejtim. Unë kam mandatuar z Astrit Patozi dhe Edmond Spaho për kontakte me PS. Synojmë një proces civil të qytetëruar të përgjegjshëm kushteues”, u shpreh Berisha.
Kreu i LSI-së Ilir Meta, pas takimit me kryeministrin Berisha u shpreh se rëndësi ka më shumë procesi sesa emri i kandidatit për kreun e ri të shtetit. Meta theksoi se LSI është për një proces gjithëpërfshirës, konsensual në mënyrë që presidenti i ardhshëm të zgjidhet që në raundin e parë.
“Në këtë takim së bashku me dy kolegët e mi kemi nënvizuar rëndësinë që zgjedhja e presidentit të vlerësohet si një moment kulmor i një procesi, i cili ndihmon në radhë të parë vendin që të ndihet i bashkuar, si dhe reformat që janë të rëndësishme për integrimin europian dhe marrjen e statusit. Shprehem për kontributin e LSI-së që procesi të jetë sa më konsensual dhe që të zgjidhet që në raundin e parë që të jepet një mesazh i pjekurisë politike. Në radhë të parë për shqiptarët që kërkojnë më shumë stabilitet dhe për partnerët ndërkombëtar që do të bëjnë vlerësim për Shqipërinë”,- deklaroi Meta.
Meta bëri me dije se në takimi i cili zgjati rreth 40 minuta, nuk është folur për emra konkret, poer për rëndësinë e procesit që të jetë i sinqertë dhe të mbështetur nga një mazhorancë e madhe. Po sot kreu i ekipit negociator të PD-së, Sali Berisha do të takohet (rreth orës 15:30) me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi. Ndërkohë, më vonë parashikohet një takim edhe me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 13:46