Lajme Shqip Friday, 25 May 2012 10:00

Gazeta “The Wall Street Journal” ka publikuar një artikull mbi trajtimin e migrenës nëpërmjet një mënyre jo të zakonshme.

Miliona vetë vuajnë nga kjo dhimbje kronike e kokës dhe disa prej tyre tani i nënshtrohen operacionit plastik, jo që të duken më mirë, por të ndjehen mirë. Sipas statistikave, 36 milionë amerikanë vuajnë nga migrena dhe arsyeja pse gratë preken 3 herë më shumë sesa burrat, nuk dihet.

Njerëzit kanë provuar mënyra të ndryshme për trajtimin e migrenës, duke filluar nga dieta, terapia fizike dhe të gjitha ilaçet, të vjetra e të reja që dalin në treg, por në shumicën e rasteve, pa ndonjë efekt. Kjo mund të jetë edhe një arsye që sa herë njoftohet mbi një mënyrë të mundshme trajtimi, sado jo-konvencionale, lajmi tërheq vëmendjen, shpresat për shpëtim ringjallen dhe personat me migrenë duan t’a provojnë.

Kirurgjia plastike ka kohë që përdoret për përmirësimin e cilësisë së jetës, përfshi ndryshimet kozmetike e deri te rikonfigurimi i trupit apo fytyrës së dëmtuar nga aksidente të ndryshme. Por tani kirurgjia plastike ka filluar të përdoret edhe për trajtimin e migrenës, një ngritje e lehtë e lëkurës mbi vetulla ose në ballë, jep efekte të dëshirueshme.

Dr. Jay Austen, Shefi i Kirurgjisë Plastike në spitalin e përgjithshëm në Massachusets, thotë se fillimisht personat që vuajnë nga migrena trajtohen me ‘botox’ dhe kur tregojnë përmirësime, atëherë shikohen si kandidatë për operimin e migrenës. Kjo ndërhyrje quhet “operacion për dekopresimin e nervit”, pasi mjekët besojnë se migrena shkaktohet nga fijet nervore që shtypen ose kompresohen nga inde ose muskuj.

Kur këto fije nervore në ballë a mbi vetulla çlirohen kirurgjikisht, dhimbjet e kokës mund të ikin përgjithmonë. Një tjetër efekt i kënaqshëm që mendohet se sjell ky lloj operimi, është edhe ndryshimi kozmetik pasi pacienti/pacientja duken më të rinj.