Drenas – “Xheladin Gashi-Komandant Plaku mbi interesat personale vuri interesin kombëtar e shtetëror, ai një jetë të tërë mendoi, jetoi dhe veproi për të mirën e Kosovës. 
Kur e shpalosëm bustin e komandant Plakut kuptuam edhe më mirë përmasat e personalitetit të Xheladin Gashit dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës”, tha Kryeministri i Kosovës dhe bashkëluftëtar i komandant Plakut, Hashim Thaci, me rastin e zbulimit të bustit të njërit ndër themeluesit e UÇK-së, Xheladin Gashi-Komandant Plaku në oborrin e Shkollës Fillore në Komoran.
Kryeministri Thaçi ka theksuar se këtu janë bashkuar të gjithë shqiptarët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Presheva e Bujanovci sepse Xheladin Gashi, komandant Plaku, ishte i të gjithë shqiptarëve dhe kontributi i tij jetësor ishte për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e gjithë shqiptarëve.
Ai ka shtuar se Xheladin Gashi ishte prej veprimtarëve të parë të Lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi të Kosovës, prej bashkëthemeluesve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sot të gjithë bashkëluftëtaret e tij dhe gjithë qytetaret e Kosovës e nderojmë me pijetetin më të lartë.
Sipas, tij Kosova është në rrugë të sigurt ashtu siç e dëshiruan ata që dhanë gjithçka nga vetja e tyre, shtet i lirë dhe demokratik, shtet i orientuar drejt integrimeve euro atlantike dhe i përkrahur nga shtetet e demokracive më të fuqishme të botës.
Ndërkaq, Gjeneral Kudusi Lama ka thënë se derisa vitet kalojnë figura e Xheladin Gashit rritet dhe ndriçohet më shumë sepse ai në jetën e tij e ndërtojë një vepër të madhe, e cila në historinë e Kosovës ka një vend të merituar sepse në gjithë jetën tonë në vazhdimësi do të jetë mesazh force, mesazh uniteti, qetësie, krenarie dhe sigurie.
Kurse, Ali Ahmeti ka pohuar se nuk është rastësisht në Komoran, sepse as Xheladin Gashi, në vitin 2001, nuk ishte rastësisht pranë Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Malësi të Tetovës.
“Me Xheladin Gashin nuk jemi takuar rastësisht në kafene apo në ndonjë aheng, por jemi takuar në malet e Berishës, bashkë me Afrim Zhitin, Fadil Vatën me çka shtrohej platforma se si do i dalim zot vendit, se si do ta shndërrojmë porosinë e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, ato porosi t’i zbatojmë në praktikë, mu aty ku u vendosë Shtabi i Përgjithshëm në Divlak, në shtëpinë e Xha Nezës e vllëzërve të tij. Aty u hartua platforma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me Afrim Zhitin, Fadil Vatën dhe veprimtarë të tjerë”, ka thënë Ahmeti.
Duke kujtuar dhe vlerësuar lartë veprën e komandant Plakut, të pranishmëve me nga një fjalë rasti u është drejtuar edhe veprimtari Adem Demaçi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, drejtori i Shkollës Fillore, Ruzhdi Orana. Kurse, në emër të familjes, të pranishmit i përshëndetur djali i Komandant Plakut, Arsim Gashi. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 17:50