Prishtinë -Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, paralajmëroi himn dhe flamur tjetër për Republikën e Kosovës, gjatë një vizite dje pasdite në Grykën e Karadakut, rajoni i Gjilanit, ku edhe vendosi lule të freskëta te varri i kryetrimit Idriz Seferi, në Zhegër, duke nderuar angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për pavarësinë e Shqipërisë.
Ai tha se “LDK do t’i respektojë vlerat e vërteta të kombit dhe kontributet e secilit nëpër të gjitha etapat historike, të cilat angazhime, para njëqind vitesh sollën pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa para 4 vitesh rikonfirmimin dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës”.
Kosova, shtoi ai, “me ardhjen e LDK-së në pushtet, do ta ketë himn të saj ‘Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë’, himn ky që filloi me luftërat në Karadak si dhe flamurin e Dardanisë, që u ideua dhe propozua nga Presidenti Rugova”.
Për këtë, tha, Mustafa “është i njoftuar si Brukseli, si dhe Vashingtoni”. “Dhe, ne do ta bëjmë këtë, pa dyshim”, është shprehur ai. Kryetari i LDK-së dhe i kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, Isa Mustafa, zgjodhi pasditen e 24 Majit – Ditën e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, për ta vizituar për herë të parë, nga pozita e liderit të kësaj partie, Grykën e Karadakut. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 11:42