Prishtinë – Me një minutë heshtje, Kuvendi i Kosovës në fillim të seancës së sotme plenare nderoi viktimat e aksidentit tragjik që ndodhi ditë më parë në Himarë.
Rekomandimet e miratuara në Kuvendin e Kosovës në seancën e 10 majit, të cilat parashohin kushtëzimin e bisedimeve me Serbinë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, nuk janë obligative për Qeverinë. Një sqarim të tillë e bëri kryeparlamentari Jakup Krasniqi në seancën plenare të Kuvendit, me ç’rast tha se edhe sipas standardeve të BE-së edhe sipas fjalorit të termave juridik evropian, rekomandimi është vetëm këshillë e jo edhe një akt obligues. “Rekomandimi është akt një palësh i miratuar nga institucionet e BE-së në kuadër të traktatit themelues të komunitetit evropian, i cili ka veçorinë të mos jetë detyrues, domethënë të krijojë efekte juridike detyruese”.
Ai tha se edhe në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala rekomandim është këshill, porosi ose mendim që jepet në mënyrë se si duhet vepruar dhe si bëhet diçka. Krasniqi theksoi se vetëm mocioni i votëbesimit është detyrues për Qeverinë dhe asnjë mocion tjetër.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ngriti çështjen e punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara, duke thënë se ata nuk po e realizojnë të drejtën e tyre për 20 përqindshin. Ai tha se sipas informacioneve që ka, Agjencioni i Privatizimit i derdh mjetet në sindikata dhe këto të fundit nuk i derdhin në kontot e punëtorëve.
Gjatë punimeve me kërkesë të ministrit të Infrastrukturës, Kuvendi ia kthej Qeverisë për rishqyrtim Projektligjin për themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror. Në rend dite për shqyrtim të parë, Kuvendi ka edhe tri projektligje mes të cilëve Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë si dhe disa raporte të agjencive të pavarura. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 14:01