Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 12:10

Homoseksualë dhe martesë, homoseksualë dhe prindër; prej kohësh janë terma kundërshtues me njëri-tjetrin, e kjo vlen edhe për botën e kafshëve.

Këtë herë, ata që kanë hapur diskutimin mbi këtë çështje janë dy pinguinë homoseksualë në një nga kopshtet zoologjike të Madridit. Inca dhe Rayas “dalin” prej gjashtë muajsh së bashku dhe për të forcuar lidhjen e tyre kanë menduar kujdestarët e kopshtit zoologjik. Ata kanë futur në “banesën” e çiftit të gay-ve një vezë pinguini, që të kishin mundësi të krijonin “një familje”.

Fillimisht dy zogjtë “e dashuruar” qëndronin larg vezës dhe nuk dinin ç’të bënin me të. Por më pas, Inca (që mesa duket kryen rolin e femrës në lidhje) kuptoi gjithçka dhe nisi të përkujdesej për vezën duke e mbuluar atë në pjesën më të madhe të kohës, ndërsa Rayas, në rolin e prindit mashkull “ruante grabitqarët”. Përkujdesja prindërore e tyre do të vazhdojë deri në ditën e 35-të, koha e mjaftueshme për konceptimin dhe daljen e pinguinit-fëmijë nga veza.

“Ata duhen e përkushtohen ndaj njëri-tjetrit që prej gjashtë muajsh si të ishin mashkull e femër” tregon kujdestari i tyre për mediat spanjolle.

Nuk është hera e parë që pinguinët gay përbëjnë lajm. Në fakt çiftet e meshkujve janë një realitet jo i rrallë mes tyre, fenomen që biologët e shpjegojnë me faktin se tek meshkujt e këtyre zogjve, instinktet e amësisë janë tejet të zhvilluara, një tjetër karakteristikë e tyre, që i bashkëngjitet asaj të besnikërisë në lidhje, që në 90 për qind të rasteve zgjat deri “në vdekje”.